TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota26 Gusht 2025, 12:59

Takimi Putin-Zelensky, Trump tërhiqet: Ndoshta ata nuk do të takohen

Shkruar nga Pamfleti

Takimi Putin-Zelensky, Trump tërhiqet: Ndoshta ata nuk do të takohen

Presidenti amerikan Donald Trump duket më pak optimist lidhur me shanset për një takim mes Volodimir Zelenskyt dhe Vladimir Putinit.

Telefonata e fundit me Putinin duket se i preu hovin kreut të Shtëpisë së Bardhë, i cili uli pritshmëritë e takimit të shumëdiskutuar, duke u shprehu më i rezervuar në lidhje me të.

“Nuk e di nëse ata do të takohen. Ndoshta do të takohen. Ndoshta jo“, u shpreh Trump.

Javën e kaluar, zëdhënësja e Trumpit, Karoline Leavitt, deklaroi se Putini kishte rënë dakord për një takim të drejtpërdrejtë me Zelenskin gjatë javëve të ardhshme.

Pas takimit Trump-Putin, u fol shumë se një takim mes Putinit dhe Zelenskit mund të zhvillohet së shpejti, por që atëherë Kremlini i ka minimizuar këto pritshmëri.

Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov deklaroi së fundmi se Moska dhe Kievi duhet së pari të bien dakord për paqen dhe pastaj një takim midis presidentëve mund të vulosë marrëveshjen.

Zelensky nga ana e tij pohoi se në fund të javës do të zhvillojë bisedime me përfaqësuesit e SHBA-së në lidhje me negociatat e mundshme me Rusinë për t’i dhënë fund luftës. Ai u takua në Kiev me të dërguarin special të SHBA-së, Keith Kellogg, me të cilin njoftohet se diskutoi për sanksione të mundshme kundër Moskës, ndërsa ka vazhduar t`i mëshojë idesë së garancive të sigurisë në rastin e një marrëveshjeje paqeje me Rusinë.

Lini një Përgjigje