
Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) publikoi pamjet e operacionit ushtarak kundër dy cisternave me flamur iranian në Gjirin e Omanit, në një tjetër episod të përshkallëzimit të tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Sipas deklaratës zyrtare të CENTCOM, forcat amerikane ndërhynë të premten kundër anijeve cisternë M/T Sea Star III dhe M/T Sevda, të cilat, sipas Uashingtonit, po përpiqeshin të hynin në porte iraniane duke shkelur bllokadën detare të vendosur ndaj Iranit që prej 13 prillit.
Autoritetet amerikane deklaruan se avionë luftarakë F/A-18 Super Hornet të Marinës amerikane, të nisur nga aeroplanmbajtësja USS George H.W. Bush, goditën me municione precize oxhaqet e dy anijeve, duke i nxjerrë jashtë funksionit pa i fundosur.
U.S. Central Command (CENTCOM) has announced that earlier today U.S. forces disabled two vessels, the M/T Sea Star III and M/T Sevda, earlier today in the Gulf of Oman in support of the naval blockade of Iran. pic.twitter.com/i213ms3SSM
— OSINTdefender (@sentdefender) May 8, 2026
Në pamjet e publikuara nga ushtria amerikane shihen avionët luftarakë duke kryer manovra mbi cisternat, ndërsa më pas regjistrohen goditjet që shkaktojnë dëmtime në strukturat e sipërme të anijeve.
“CENTCOM ndërmori masa bllokuese kundër dy cisternave pa ngarkesë me flamur iranian që po përpiqeshin të hynin në një port iranian në Gjirin e Omanit. Një F/A-18 Super Hornet nga USS George H.W. Bush neutralizoi të dyja anijet duke goditur oxhaqet e tyre me municione precize”, thuhet në deklaratën e komandës amerikane.
Sipas ushtrisë amerikane, qëllimi ishte ndalimi i hyrjes së anijeve në Iran dhe jo fundosja e tyre.
CENTCOM bëri të ditur gjithashtu se më 6 maj forcat amerikane kishin neutralizuar edhe cisternën iraniane M/T Hasna, e cila po lëvizte drejt një porti iranian në Gjirin e Omanit. Operacioni ishte kryer nga një tjetër avion F/A-18 Super Hornet i nisur nga aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln.
Sipas deklaratës, asnjë nga tre anijet nuk po lëviz më drejt Iranit.
Komandanti i CENTCOM, admirali Brad Cooper, deklaroi se forcat amerikane në Lindjen e Mesme do të vazhdojnë zbatimin e plotë të bllokadës detare ndaj anijeve që hyjnë ose dalin nga Irani.
“Forcat tona mbeten të përkushtuara ndaj zbatimit të plotë të bllokadës. Burrat dhe gratë tona në uniformë po kryejnë një punë të jashtëzakonshme”, tha ai.
Sipas ushtrisë amerikane, që nga vendosja e bllokadës janë neutralizuar disa anije iraniane, ndërsa më shumë se 50 mjete detare janë devijuar nga rruga nga forcat e CENTCOM.
Ndërkohë, mediat iraniane raportuan për “përplasje sporadike” mes forcave amerikane dhe njësive iraniane në zonën strategjike të Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë.
Përshkallëzimi i tensioneve në rajon vjen në një moment të ndjeshëm për sigurinë në Lindjen e Mesme, ndërsa SHBA dhe Irani vazhdojnë përplasjen për kontrollin e lëvizjes detare dhe ndikimin strategjik në Gjirin Persik.
Bravo Trump,luftë me oxhaqe !