TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Gusht 2025, 18:11

Zelensky veshi kostum në Shtëpinë e Bardhë pas kritikave herën e parë? Stilisti i presidentit zbulon si qëndron e vërteta

Shkruar nga Pamfleti

Zelensky veshi kostum në Shtëpinë e Bardhë pas kritikave

Nuk është çështja e kostumit, është çështja se çfarë do të ndodhë me Ukrainën”.

Kështu u shpreh stilisti ukrainas Viktor Anisimov, krijuesi i kostumit që presidenti Volodymyr Zelensky veshi të hënën gjatë takimeve në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Donald Trump dhe liderët europianë mbi përfundimin e luftës në Ukrainë.

Më shumë se tre vite pas nisjes së agresionit rus, Zelensky vijon t’u kërkojë udhëheqësve botërorë një zgjidhje paqeje që nuk përfshin as dorëzimin e territoreve, as heqjen dorë nga aspirata për anëtarësim në NATO.

Në shkurt, zgjedhja e tij për të veshur një uniformë më të thjeshtë me frymë ushtarake, nga marka ukrainase Damirli, shkaktoi kritika nga Trump dhe zëvendëspresidenti JD Vance, duke ndezur një debat të gjerë në media dhe rrjete sociale. Atëherë Zelensky u përgjigj me humor: “Do të vesh kostum pasi kjo luftë të ketë mbaruar. Ndoshta diçka si e juaja. Ndoshta më e mirë. Ndoshta më e lirë, nuk e di.”

Anisimov, 61 vjeç, tha në një intervistë për mediat se kishte parë debatet dhe kritikat, por se vendimi për të punuar mbi një stil më formal të presidentit ishte marrë shumë më herët, që në janar.

E njihja mirë reagimin ndaj atij takimi në Oval Office, por kjo nuk ishte arsyeja për ndryshimin. E njoh presidentin tonë – ai nuk do të ndryshonte vetëm për shkak të kritikave. Ne vazhduam punën që kishim nisur. Ai nuk flet për këtë temë me mua, por ne e dimë situatën”, tha ai.

Anisimov, i cili krijoi markën e tij ViktorAnisimov në vitin 1997, vijon të prodhojë koleksionet nga Ukraina e shkatërruar nga lufta. Për të, rëndësia e takimit nuk qëndron te kostumi: “Nuk më shqetëson kë do të veshë presidenti. Ajo që ka rëndësi është rezultati i këtyre takimeve. Më intereson më shumë kush do të qëndrojë pranë nesh si komb”.

Vizita e së hënës në Shtëpinë e Bardhë përfshiu edhe takime bilaterale me presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministrin britanik Keir Starmer, kancelarin gjerman Friedrich Merz, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte dhe presidentin finlandez Alexander Stubb.

Stilisti ndan jetën mes Ukrainës dhe Spanjës, ku jeton vajza e tij njëvjeçare dhe qentë e familjes. Ai tha:

Kur lufta nuk të prek, nuk duket e frikshme. Por kur të prek, është tmerr i vërtetë. Nuk do t’ia uroj askujt ta përjetojë. Jeta ime, si e shumë ukrainasve, është ndarë përgjysmë: para dhe pas luftës. Kush nuk ka qenë kurrë nën zjarr, nuk mund ta kuptojë kurrë sa e dhimbshme është humbja kur miqtë, të afërmit, djemtë e njerëzve që i ke parë dje, sot nuk ekzistojnë më”, tha ai.

Lini një Përgjigje