Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan po zhvillohet me dyer të mbyllura seanca për vlerësimin e ligjshmërisë së ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasit Petri Bozo, i cili është nën hetim për aksidentin tragjik ku humbi jetën 7-vjeçari me inicialet E.S. Ngjarja ndodhi në fshatin Mengël të Elbasanit.
Prokuroria përfaqësohet në seancë nga prokurori Adnand Hoxha, i cili i ka kërkuar gjykatës që ndalimi i personit nën hetim të konsiderohet i ligjshëm dhe ndaj tij të caktohet masa e sigurimit personal “Arrest në burg”, në bazë të nenit 238 të Kodit të Procedurës Penale.
Sipas organit të akuzës, ekzistojnë dyshime të arsyeshme që lidhin Petri Bozon me aksidentin fatal që tronditi opinionin publik në Elbasan dhe më gjerë, ku humbi jetën një fëmijë 7 vjeç.
Ngjarja ka sjellë reagime të shumta nga komuniteti elbasanas dhe ka rikthyer vëmendjen te problematika e sigurisë rrugore në zonën e Menglit, si edhe te respektimi i rregullave të qarkullimit.
Gjatë seancës janë paraqitur argumentet e palëve, ndërsa gjykata po shqyrton provat dhe rrethanat paraprake të çështjes për të marrë një vendim mbi kërkesën e Prokurorisë.
Në përfundim të seancës pritet që gjykata të shpallë vendimin për masën e sigurisë ndaj Petri Bozos, duke përcaktuar nëse do të pranojë kërkesën për “Arrest në burg” apo do të vendosë një masë tjetër sigurimi.
Lini një Përgjigje