TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet27 Maj 2026, 20:38

Nga Amant Josifi te vëllai i kryeministrit, Shemsi Prençi: Call center-at kanë lulëzuar me dijeninë e shtetit

Shkruar nga Pamfleti
Nga Amant Josifi te vëllai i kryeministrit, Shemsi Prençi: Call
Aferat me call center

Eksperti i sigurisë dhe ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit, Shemsi Prençi, hodhi akuza të forta në podcastin “Të Pashoq” lidhur me fenomenin e call center-ave në Shqipëri, duke deklaruar se aktiviteti ka lulëzuar për më shumë se një dekadë me dijeninë e institucioneve shtetërore dhe nën presionin e partnerëve ndërkombëtarë.

Prençi tha se dëmi ekonomik i shkaktuar qytetarëve europianë nga skemat mashtruese të call center-ave është shumë herë më i madh se skema piramidale e viteve 1996-1997 në Shqipëri.

Përmes call center-ave u janë vjedhur qytetarëve të Bashkimit Europian shuma marramendëse parash. Ekspertët flasin për 3 deri në 5 miliardë euro. Ky fenomen ka lulëzuar për mbi 10 vite në Shqipëri duke e ditur autoritetet ligjzbatuese, shërbimet informative, policia, prokuroria dhe qeveria shqiptare. Ky problem i është ngritur ministrave dhe kryeministrit në takime me Bashkimin Europian, sepse ka qenë shqetësim serioz për qytetarët e vendeve europiane”, deklaroi Prençi.

Ai tha se goditjet më të forta ndaj rrjeteve të call center-ave nuk janë bërë nga institucionet shqiptare, por nga partnerët ndërkombëtarë.

Askush nuk e vuri ujin në zjarr për call center-at derisa partnerët erdhën vetë në Shqipëri dhe i kishin me lokacione të sakta të gjitha qendrat ku zhvillohej aktiviteti. Goditjet më të rënda janë bërë me iniciativën e partnerëve nga Gjermania dhe Spanja. Autoritetet shqiptare nuk morën asnjëherë iniciativën për ta goditur seriozisht këtë fenomen”, u shpreh ai.

Prençi deklaroi se në këtë aktivitet janë përfolur edhe emra të lidhur me pushtetin dhe figura publike.

Është përfolur për personazhe publike. Është folur për Amant Josifin, për vëllain e kryeministrit dhe të tjerë. Nëse ka materiale konkrete, siç flitet se kanë ardhur nga autoritetet gjermane, dhe Policia e Shtetit stepet sapo del emri i një zyrtari të lartë apo i një personi të lidhur me pushtetin, atëherë ajo nuk mund të quhet më institucion ligjzbatues”, deklaroi ish-drejtuesi i Policisë.

Sipas Prençit, problemi më i rëndë është fakti që ligji zbatohet me standarde të ndryshme.

Nuk mund të marrësh një qytetar për dy gram hashash dhe të mos guxosh të vendosësh pranga kur përballesh me emra të lidhur me politikën apo me njerëz me mbështetje politike. Kjo do të thotë që ligji zbatohet me dy standarde dhe kjo është e papranueshme për një shtet që pretendon të hyjë në Bashkimin Europian”, tha ai.

Prençi shtoi se kohët e fundit policia ka nisur të godasë disa nga këto fenomene, ndërsa përmendi edhe operacionet kundër lojërave të fatit dhe call center-ave në zona të ndryshme të vendit.

prenci call center

Lini një Përgjigje