
Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço ka komentuar operacionin e përbashkët të SPAK dhe antimafias italiane kundër një grupi kriminal shqiptaro-italian të përfshirë në vrasje, trafik droge dhe pastrim parash, duke deklaruar se Shqipëria është kthyer prej vitesh në një terren ideal për investimin e parave të mafias.
Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço ka bërë deklarata të forta lidhur me operacionin e zhvilluar sot nga SPAK dhe antimafia italiane, ku u godit një grup kriminal shqiptaro-italian i përfshirë në vrasje, trafik droge dhe pastrim parash.
I ftuar në një studio televizive, Karamuço deklaroi se lidhjet mes mafias italiane dhe grupeve shqiptare janë të hershme, ndërsa Shqipëria prej vitesh konsiderohet nga organizatat mafioze italiane si një vend ideal për investimin dhe pastrimin e parave të krimit.
“20 mijë anëtarë, 12 miliardë dollarë në vit, 50 klane. Është vetëm mafia e Puljas. Këtu s’përmendëm mafian e Foggia-s, që është më vete dhe është edhe më e dhunshme. Nuk po flasim për ‘Ndrangheta-n, që ka 37 miliardë dollarë të ardhura në vit. Por me Puljan dhe me ‘Ndrangheta-n ne kemi lidhje historike. Shqiptarët i mbani mend përgjimet e viteve 2014-2017, kur ‘Ndrangheta thoshte: ‘Shqipëria është parajsë, të shkojmë të investojmë’. Dhe sigurisht ata do gjejnë mënyra ku t’i çojnë paratë, sepse presioni mbi ta është i jashtëzakonshëm”, deklaroi Karamuço.
Sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e parave të krimit pastrohen në Shqipëri përmes bizneseve që në pamje të parë duken normale, por që në realitet përdoren për të justifikuar qarkullimin e shumave të mëdha të parave.
“Syri ynë i lirë sheh çdo ditë lokale, dyqane apo biznese në Tiranë që rrinë bosh, por faturojnë sikur kanë shkuar gjysma e qytetit aty. Këto janë mekanizma të pastrimit të parave. I lidhin me kompani, me konsorciume, madje edhe me banka të nivelit të dytë. Dhe kjo nuk është diçka e fshehtë. Nëse do të kishte hetime serioze, çdo ditë në Shqipëri mund të zbulohej nga një grup kriminal. Me garanci, 365 ditë, 365 grupe”, tha eksperti i kriminalistikës.
Karamuço theksoi se format e pastrimit të parave janë bërë gjithnjë e më të sofistikuara dhe përfshijnë sektorë të ndryshëm të ekonomisë, nga dyqanet e rrobave deri te klinikat estetike dhe bizneset private.
“Po, kjo është një formë e pashmangshme, sepse kjo para diku do të shfryjë. Mendoni për paratë e korrupsionit apo të trafikut, të gjithë ndjekin të njëjtat sisteme. Hapja e dyqaneve, klinikave estetike, bizneseve që nuk justifikojnë aktivitetin real, janë mënyra klasike për të futur para të pista në ekonomi”, u shpreh ai.
Deklaratat e Karamuços vijnë në të njëjtën ditë kur autoritetet italiane dhe SPAK goditën një organizatë kriminale të lidhur me mafian italiane, e akuzuar për vrasje mafioze, trafik droge dhe pastrim milionash mes Italisë, Shqipërisë dhe vendeve të tjera europiane.
Lini një Përgjigje