Një pjesë e madhe e pankartave u fokusuan te fenomeni i emigrimit, ku protestuesit akuzuan qeverinë se ka detyruar mijëra shqiptarë të largohen nga vendi.
Pankartat e mbajtura nga protestuesit në tubimin e 21-të para Kryeministrisë janë 'pikante', të cilat përcjellin mesazhe të drejtpërdrejta mbi emigrimin, korrupsionin, identitetin kombëtar dhe pakënaqësinë ndaj qeverisë.
Një pjesë e madhe e pankartave u fokusuan te fenomeni i emigrimit, ku protestuesit akuzuan qeverinë se ka detyruar mijëra shqiptarë të largohen nga vendi.

“Qeverri e korruptuar më detyruat baxhanakun me gjithë familjen të ikë në Kanada”, shkruhej në një prej pankartave të mbajtura nga pjesëmarrësit.

Një tjetër mesazh që tërhoqi vëmendjen ishte ai: “Ne jemi ata që sakrifikuam çdo gjë për familjet tona që të mbijetojnë në këtë vend që ju i harruat”, duke vënë theksin te kontributi i emigrantëve për familjet e tyre dhe ekonominë shqiptare.

Në protestë nuk munguan as pankartat me mesazhe politike kundër kryeministrit Edi Rama.

Në një prej tyre shfaqej fotografia e kreut të qeverisë me mbishkrimin: “Nga diaspora në atdhe për të përzënë këtë hale”, ndërsa në një tjetër lexohej: “Edi Rama largohu se rrugë tjetër”.

Mesazhet prekën edhe çështje kombëtare. Një grup protestuesish mbante një banderolë të madhe me mbishkrimin “Nga Çamëria në Mollë të Kuqe jemi shqiptarë”, duke sjellë në vëmendje identitetin kombëtar dhe çështjen çame.

Ndërkohë, një tjetër pankartë krahasonte largimin e shqiptarëve nga vendi me një eksod masiv, duke shfaqur turma emigrantësh dhe mesazhin: “Kur shqiptarët braktisnin atdheun” përballë sloganit “Kur shqiptarët i dalin zot atdheut”.

Pankartat, flamujt kuqezi dhe pjesëmarrja e shqiptarëve të ardhur nga vende të ndryshme të botës krijuan një nga imazhet më të spikatura të protestës së kësaj të shtune në Tiranë, ku emigrimi dhe largimi i të rinjve mbetën ndër temat kryesore të ngritura nga pjesëmarrësit.


Lini një Përgjigje