Diaspora po ashtu kërkoi verifikimin e pasurive të politikanëve, deputetëve dhe ministrave, si dhe sekuestrimi i pasurive që nuk justifikohen me burime të ligjshme të ardhurash.
Përfaqësues të diasporës shqiptare, të ardhur në Tiranë për t'iu bashkuar protestës së 21-të para Kryeministrisë, kanë shpalosur kërkesat e tyre për ndryshime politike dhe institucionale në vend.
Nga podiumi i protestës, një prej pjesëmarrësve prezantoi një sërë propozimesh që, sipas tij, synojnë rikthimin e besimit te institucionet dhe reformimin e sistemit politik.
Mes kërkesave të ngritura ishte thirrja drejtuar SPAK-ut për të kërkuar heqjen e imunitetit të kryeministrit Edi Rama dhe nisjen e procedurave hetimore ndaj tij
Po ashtu, protestuesi kërkoi reagim edhe nga Gjykata Kushtetuese lidhur me çështje që, sipas tij, kërkojnë shqyrtim nga institucioni më i lartë kushtetues.
Një tjetër propozim i paraqitur nga diaspora ishte krijimi i një qeverie teknike me mandat njëvjeçar, e përbërë nga figura jopartiake dhe ekspertë të fushave të ndryshme. Sipas tij, në muajin e tetë të mandatit të kësaj qeverie duhet të organizohet një referendum popullor, rezultatet e të cilit të reflektohen më pas në Kushtetutë.
Gjatë fjalës së tij u kërkua gjithashtu verifikimi i pasurive të politikanëve, deputetëve dhe ministrave, si dhe sekuestrimi i pasurive që nuk justifikohen me burime të ligjshme të ardhurash.
Protesta e kësaj të shtune ka mbledhur në kryeqytet shqiptarë nga vende të ndryshme të botës, të cilët kanë deklaruar se pjesëmarrja e tyre synon të sjellë në vëmendje problematikat që, sipas tyre, kanë ndikuar në largimin e mijëra shqiptarëve nga vendi gjatë viteve të fundit.
Lini një Përgjigje