Në mes të mega-protestës që ka mbushur bulevardin e Tiranës, një shqiptare e ardhur nga Italia përcolli një nga mesazhet më të forta të mbrëmjes, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për vjedhjen e votës së diasporës dhe duke i kërkuar dorëheqjen.
Mes mijëra protestuesve që kanë mbushur bulevardin në protestën e 21-të kundër qeverisë, zëri i diasporës ka qenë një nga më të fortët e kësaj mbrëmjeje.
Nga foltorja e protestës, një qytetare e ardhur nga Milano iu drejtua drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se para zyrës së tij ndodhen "të gjitha votat e vjedhura" të shqiptarëve jashtë vendit.
"Jemi të gjitha votat që ke vjedhur në diasporë këtu sonte", tha ajo mes duartrokitjeve të protestuesve.
Në fjalën e saj, protestuesja tha se diaspora nuk ka ardhur në Tiranë vetëm për të protestuar, por për të treguar se qëndron në të njëjtën anë me qytetarët që prej tre javësh po mbushin sheshet kundër qeverisë.
"Sot jemi këtu për t'ju sjellë një mesazh të qartë. Diaspora e Milanos ecën krah për krah me protestuesit e Tiranës. Kemi ngritur zërin në Itali ashtu siç po e ngrini ju sot këtu. Shqipëria është vendi ynë dhe do ta mbështesim deri në fund", u shpreh ajo.
Protestuesja pretendoi gjithashtu se kauza e tyre po ndiqet edhe jashtë Shqipërisë.
"Ne nuk jemi vetëm. Dua t'i them Ramës se kemi mbështetjen edhe të eurodeputetëve të Parlamentit Europian. Ata po na ndjekin hap pas hapi, po na dëgjojnë zërin, po lexojnë një për një pankartat", deklaroi ajo.
Fjalimi u mbyll me një thirrje të drejtpërdrejtë për largimin e kryeministrit.
"Zoti Rama, të uroj që rruga drejt dorëheqjes të jetë sa më e lehtë", tha protestuesja.
Mes flamujve kuqezi, thirrjeve "Rama ik" dhe pjesëmarrjes masive të diasporës, mesazhet nga foltorja e protestës treguan se një pjesë e emigrantëve shqiptarë kanë zgjedhur të kthehen në vend jo për pushime, por për t'iu bashkuar protestës që prej 21 ditësh po sfidon qeverinë dhe klasën politike.
Lini një Përgjigje