Gara pa rival e Sali Berishës, lëvizjet e Ervin Salianjit dhe sfidat e PD përballë zgjedhjeve të 2027 u komentuan nga Andi Mustafaj ish drejtues i Brain Gain në PD dhe ish drejtuesi i fushatës së PD në zgjedhjet e kaluara.
Ai argumentoi se problemi nuk ishte sistemi, por fakti që shumë demokratë zgjodhën të ankohen në rrjete sociale dhe jo përmes votës.
“Zgjedhje kishte, pra mundësia e anëtarit të zgjidhte jo ose të abstenonte. A është sistem i përsosur? Jo, por është sistemi më i përsosur që ne kishim sepse kjo nxorri në pah mungesën e kulturës së votës dhe kulturës qytetare, dhe kjo është fatkeqësi për PD dhe për ShqipërinË. Pati shumë reagime në Facebook. Pashë njerëz që ishin kundër por nuk i bënë nder as PD e as Shqipërisë duke mos e hedhur votën e duke mos e shprehur “jo-në” e duke rritur ndërgjegjësimin e rolit të votës. Këtë duhet të bënin edhe ish kandidatët. Imagjinoni sikur të kishin shkuar 10.000 veta të votonin jo. Nëse ata kundër berishës do të impononin raportin e forcës së votës do i bënin nder PD dhe Shqipërisë. Shpresoj që herën tjetër njerëzit ta marrin fatin e votës së tyre në dorë”, tha Mustafaj.
Mustafaj tha se çdo kritikë ndaj drejtimit duhet të vijë me propozime konkrete dhe të artikulohet fillimisht brenda strukturave të partisë. Sipas tij, Salianji nuk ka paraqitur një platformë të qartë politike që të justifikojë lëvizjet jashtë strukturave të PD-së.
"Çdo lëvizje apo cdo mendim kundër, mua nuk do të më dëgjoni duke thënë që jam kundër. Unë kam pasur gjithashtu dakordësi por i kam shprehur brenda strukturave. Unë akoma sot, e kam të vështirë ta kuptoj si demokrat se çfarë propozimi është bërë nga Salianji që ka shkaktuar daljen e tij me takime jashtë strukturave duke përdorur siglën dhe simbolet e PD. Unë e kam të paqartë këtë. Nëse ai do të vinte me propozime konkret dhe të gjitha do ishin rrëzuar, atëherë të lind një lloj legjitimiteti për të bërë diçka. Nuk mjafton që të thuash ‘unë kam thënë që duhet hapur partia’. Këto janë gjëra të përgjthshme. Njeriu duhet të vijë me propozime konkrete te kryesia dhe kryetarit. Nëse ato refuzohen të lind e drejta, por nëse ti nuk je munduar ta ndryshosh partinë nga brenda, nuk të lind e drejta të bësh lëvizje të tilla”, tha Mustafaj.
Mustafaj foli për profesionalizim të partisë, reformim strukturash, platformë dixhitale dhe një qasje të re ndaj diasporës, ndërsa theksoi se “PD duhet të tkurret para se të zgjerohet”.
“PD duhet të përmirësohet. Duhet të kemi një reformë të strukturës që është thelbësore. Me sa kam info, në kuvendin kombëtar do të lajmërohen disa ndryshime siç është platforma dixhitale dhe ndryshimi i qasjes ndaj diasporës. Partia duhet të profesionalizohet. Kemi ardhur në një fazë ku kemi një sistem i plotë përballë dhe duhen struktura profesionale. PD duhet të tkurret përpara se të zgjerohet. Vlerësimi i performancës është thelbësor gjithashtu“, tha Mustafaj.
Lini një Përgjigje