TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet10 Qershor 2026, 21:41

“I pashë policët nga mali dhe i thashë djalit”, dëshmon nëna e Braçellarit, zbulohet si u vra polici

Shkruar nga Pamfleti

 

“I pashë policët nga mali dhe i thashë djalit”,
Foto ilustruese

Aleksandër Kola ka qenë udhërrëfyesi i policisë te stani i Violand Braçellarit. Shefi i Komisariatit të Maliqit, Eduard Allushi, i ka kërkuar t’i shoqëronte në vendin ku flinte i kërkuari.

Rreth orës 5:00 të mëngjesit e ka marrë në WhatsApp dhe i ka dhënë një maskë dhe një bluzë si ato të policisë. Më pas, 5 makina janë nisur drejt vendit të ngjarjes. Këto automjete, rreth orës 06:30–07:00, kanë ndaluar në një distancë prej 100–200 metrash nga vendi ku ndodhej Violand Braçellari. Pasi të gjithë punonjësit e policisë kanë zbritur, është konstatuar se kanë veshur pajisjet antiplumb dhe janë armatosur me automatik. Në terren kanë qenë dy grupe, të cilët janë ndarë.
Si masë paraprake, drejtori i Policisë së Korçës, Vilson Bala, ka urdhëruar që të dërgoheshin dy policë në HEC-in që është afër stanit për të mbajtur nën mbikëqyrje punëtorët, me frikën se mund të jepnin informacione.

Njëri grup i policisë kryesohej nga dy zëvendësdrejtorët e Korçës, nëpërmjet aksit rrugor Maliq–Lozhan–Bode. Ndërkohë, grupi tjetër kishte në krye vetë drejtorin vendor Vilson Bala, që do të ndiqte itinerarin Korçë–Voskopojë–Bode. Të paktën, ky ishte plani operacional sa u përket letrave të shkruara dhe dëshmisë së vetë drejtorit të Policisë së Korçës, Vilson Bala, në hetimin që po bën AMP.

Por çfarë ndodhi vërtet në momentin që nisi aksioni dhe u përballën me Violand Braçellarin në stanin e tij?

“Ne ishim këtu, isha me djalin, i thashë erdhën. I pashë nga dritarja që po vinin nga mali. Djali doli nga dritarja dhe shkoi, ishin 6 persona…”, u shpreh nëna e Violandit, Berdane Braçellari.

Dëshmia e nënës së Violandit në lidhje me ngjarjen ka ngjashmëri edhe me deklaratën e shefit të Shqiponjave, Dhimitër Trushi. Ky i fundit ka qenë në krye të grupit të Shqiponjave që ka pasur përballje me armë me të shumëkërkuarin Violand Braçellari. Grupi përbëhej nga 7 efektivë.

Në momentin që janë futur në stan, dy prej policëve janë larguar duke u pozicionuar në fund të objekteve për të monitoruar lëvizjet e mundshme të autorit, sipas udhëzimit të zv.drejtorit të rendit, Lorenc Shehu.

Grupi nisi afrimin drejt stanit. Dy zëvendësdrejtorët, shefi i Komisariatit të Maliqit dhe shërbimet e komisariatit, agjentë të drejtorisë dhe oficerë të drejtorisë u futën drejt objekteve. Ai së bashku me punonjësit e policisë Edison Adri, Enea Mekolli, Ermir Sokoli dhe Renato Seiti kanë vazhduar në rresht për të kontrolluar deri në fund të objekteve.

Sipas dëshmisë së Trushit, të gjithë objektet ishin të rrethuara, përveç të fundit, një sallë njëkatëshe që kishte dalje në drejtim të përroit. Terreni ishte i zhveshur dhe nga sipër rrugës poshtë janë afruar Enea, Edisoni, Ermiri dhe Trushi, i cili ishte i vendosur para Renatos.

Gjatë afrimit, Enea me Edisonin kanë vënë re se në stallë kishte lëvizje dhe kanë thirrur: “Ka lëvizje në stallë”. Në këtë kohë, ai ka thirrur: “Të rrethohet stalla” dhe kanë bërë thirrje personit që ndodhej brenda: “Policia, dil përjashta, je i rrethuar, jemi Renea”. Ai së bashku me Ermirin kanë qenë në cep të magazinës, ndërsa Edisoni me Enean kanë qenë para një pirgu me pleh, ndërsa Renatoja mbrapa tyre.

Pasi ka kërkuar ndihmën e policëve të tjerë, Trushi shpjegon se ka dëgjuar breshëri automatiku dhe pas saj dy breshëri të tjera. Në momentin që është kthyer për të parë punonjësit e policisë, ka parë që Edison Adri ishte rrëzuar në tokë. E ka parë me një shenjë gjaku në nofull dhe i ka bërë me duar që ta ndihmonte.

Shefi i Shqiponjave është nisur për ta ndihmuar, por ka qenë e pamundur pasi drejt tyre vinin breshëri kallashnikovi. Në këtë moment, policët janë përgjigjur me zjarr. Edisoni Adri është zvarritur dhe ka ardhur në drejtim të grupit, ku mori ndihmën e parë.

Pas kësaj kohe, dëgjova të bërtiturat e personit në kërkim që thoshte: “U dorëzova, e hodha armën”, dhe kolegët që thanë: “E kapëm”. Edisonin e morën kolegët Eriksoni dhe Renato Seiti dhe u larguan për në spital. Në këtë kohë ka dëgjuar kolegun Enea Ibi, i cili i ka thënë: “Shef, o shef, edhe Enea është i shtrirë”, referuar Enea Mekollit. Ka shkuar te vendi që ndodhej disa metra larg dhe e ka konstatuar të shtrirë në tokë, ku nuk bënte asnjë reagim.

“E mbaj mend shumë mirë, Enea ishte këtu kur u vra, ndërsa të plagosurin nuk e di. Këtu ishte si film, vetëm gjuajtje, gjuajtje me armë. Unë doja të futesha mes plumbave të vdisja. Djali ishte atje”, u shpreh nëna e Violandit, Berdane Braçellari.

Violand Braçellari zbraz plotësisht karikatorin e automatikut model 56. Vetëm në momentin që nuk kishte më plumba, vendosi të dorëzohej. Nga këqyrja e trupit të Enea Mekollit është kuptuar se ka marrë plumba në kokë, në qafë, në vesh, në pjesën e gjoksit dhe në këmbë.

Në trupin e viktimës është gjetur i mbështetur edhe arma automatike. Në karikator kishte 29 fishekë dhe një i fundit gjendej në folenë e armës, gjë që tregon se ky shtetas nuk ka qëlluar me armë. Bën përshtypje fakti se pistoletën personale të shërbimit, dëshmori Mekolli ia kishte dhënë nëndrejtorit Lorenc Shehu për ta mbajtur, pasi efektivi do të përdorte vetëm automatikun.

“Nuk e dinim se kishte armë, nuk e dinim… Dronët, radiot dhe dylbitë i kishim nëse na shkonin bagëtitë në mal, jo për ndonjë gjë tjetër”, u shpreh nëna e Violandit, Berdane Braçellari./ Insidestory

dëshmon nëna e braçellarit

Lini një Përgjigje