TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet10 Qershor 2026, 21:21

Vijon marshimi në rrugët e Tiranës, protestuesit thirrje Ramës: Hap kamerat dhe shiko sa jemi sot!

Shkruar nga Pamfleti
Vijon marshimi në rrugët e Tiranës, protestuesit thirrje
Vijon marshimi në rrugët e Tiranës

Protestuesit theksuan se pjesëmarrja rekord është dëshmi se lëvizja po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje qytetare.

Marshimi i protestuesve vijon në rrugët kryesore të Tiranës, ndërsa mijëra qytetarë kanë mbushur Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe zonat përreth Kryeministrisë në ditën e 11-të të protestës.

Me flamuj kombëtarë, pankarta dhe brohoritje, pjesëmarrësit po marshojnë në grup drejt institucioneve kryesore të vendit, duke përsëritur thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e klasës aktuale politike.

Gjatë marshimit dëgjohen vazhdimisht sloganet “Rama ik”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Shqipëri e Re”, “Qeveri e krimit” dhe “Edi Rama jep dorëheqjen”, ndërsa protestuesit insistojnë se mobilizimi qytetar po rritet nga dita në ditë.

Një prej aktivistëve organizatorë iu referua deklaratave të mëparshme të kryeministrit Edi Rama, duke e sfiduar publikisht për pjesëmarrjen në protestë.


“Rama tha se as po të jenë 500 mijë nuk e jap dorëheqjen. Hapni kamerat dhe shiko sa jemi sot”, u shpreh ai para turmës së protestuesve.

Sipas organizatorëve, protesta e kësaj të mërkure ka shënuar pjesëmarrjen më të lartë që nga nisja e lëvizjes, ndërsa qytetarët e pranishëm e cilësuan tubimin si një mesazh të qartë për klasën politike.

Organizatorët u kanë bërë thirrje pjesëmarrësve të ruajnë qetësinë dhe të shmangin çdo provokim, duke theksuar se protesta duhet të mbetet paqësore dhe qytetare.

Atmosfera përgjatë marshimit shoqërohet me duartrokitje, thirrje dhe pankarta të shumta, ndërsa protestuesit deklarojnë se nuk do të tërhiqen deri në realizimin e kërkesave të tyre politike dhe qytetare.

vijon marshimi protesta

Lini një Përgjigje