Qytetarët do ndjekin të njëjtën strategji si ditën e djeshme. Do të marshojnë dhe do të rikthehen sërish në Sheshin Skënderbej, aty ku edhe nisi protesta.
Protesta e nëntë kundër qeverisë së Edi Ramës është mbyllur këtë mbrëmje para Kryeministrisë, ndërsa qindra qytetarë vijuan marshimin në rrugët kryesore të Tiranës, duke përsëritur thirrjet kundër qeverisë dhe klasës politike.
Qytetarët do ndjekin të njëjtën strategji si ditën e djeshme. Do të marshojnë dhe do të rikthehen sërish në Sheshin Skënderbej, aty nga ky edhe nisi protesta.
Tubimi, që nisi në sheshin “Skënderbej” dhe vijoi drejt Kryeministrisë, u shoqërua me pjesëmarrje më të lartë se në ditët e mëparshme dhe me një zgjerim të dukshëm të mesazheve politike. Nëse protesta nisi si kundërshtim ndaj projektit në Zvërnec, tashmë në qendër të saj janë vendosur kërkesa për ndryshim politik, qeveri teknike dhe hetim të figurave kryesore të tranzicionit shqiptar.
“Edi Rama dorëhiqu”, “Shqipëri e Re”, “Atdheu nuk shitet”, “Qeveri teknike”, “Revolucion”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Opozitë e shitur” dhe “Anulo projektin” ishin disa nga thirrjet që dominuan protestën.
Një nga momentet më të rëndësishme të tubimit ishte prezantimi i një manifesti me 10 pika nga një student shqiptar që studion në Gjermani. Manifesti përfshinte kërkesa për krijimin e një Ministrie të Diasporës, hetimin e çështjeve më të mëdha të tranzicionit shqiptar si Gërdeci, 21 Janari dhe inceneratorët, si dhe hetime të pavarura nga SPAK për përdorimin e zonave publike dhe strategjike.
Nga podiumi u kërkua gjithashtu ngritja e një qeverie tranzitore të përbërë nga “ajka e kombit”, ndërsa u artikulua një mesazh i drejtpërdrejtë kundër gjithë klasës politike.
“Duam qeveri tranzitore, nga ajka e kombit. Rama dhe Berisha ta qajnë lirinë”, u deklarua gjatë leximit të manifestit.
Në një tjetër moment, protestuesit kërkuan që marshimet të mos kufizohen vetëm para institucioneve shtetërore, por të zhvillohen edhe para selive të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.
“Të protestojmë dhe marshojmë edhe para selive të partive të vjetra, PD dhe PS”, ishte një tjetër kërkesë e artikuluar para protestuesve.
Një nga mesazhet më të forta të mbrëmjes ishte edhe thirrja për zgjerimin e lëvizjes në nivel kombëtar. Nga podiumi u ftua diaspora shqiptare që t'i bashkohet protestës, ndërsa qytetarëve iu kërkua të organizojnë protesta të përditshme në qytetet e tyre dhe të bashkohen në Tiranë gjatë fundjavave.
“Ftojmë diasporën që të na bashkohet”, ishte apeli i bërë para turmës.
Protestuesit insistuan se lëvizja nuk përfaqëson asnjë forcë politike dhe se synon të mbetet qytetare, duke kërkuar drejtësi, transparencë dhe mbrojtjen e pasurive publike.
Pas disa orësh tubim para Kryeministrisë, qytetarët vijuan marshimin në rrugët e kryeqytetit me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, duke mbyllur një tjetër ditë mobilizimi që, sipas organizatorëve, nuk do të jetë e fundit.
Pas nëntë ditësh protestash, lëvizja duket se po largohet gjithnjë e më shumë nga karakteri i një kauze të vetme mjedisore dhe po shndërrohet në një platformë më të gjerë politike dhe qytetare, me kërkesa që prekin qeverisjen, drejtësinë, përfaqësimin politik dhe të ardhmen e vendit./ Pamfleti
Lini një Përgjigje