TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet26 Maj 2026, 14:58

UPDATE/ Edicioni i lajmeve kryesore nga kronika e zezë, ora 15:00

Shkruar nga Pamfleti
UPDATE/ Edicioni i lajmeve kryesore nga kronika e zezë, ora 15:00
Edicioni i lajmeve

Ju ftojmë të ndiqni një bllok lajmesh me zhvillimet kryesore nga kronika e zezë, ku ndër të tjera veçojmë:

Megaoperacioni i përbashkët mes SPAK dhe Antimafias italiane goditi grupin kriminal të drejtuar nga Igli Kamberi, me 15 urdhër-arreste në Shqipëri, Itali dhe Spanjë.

Hetimet lidhen me trafik droge, pastrim parash dhe vrasjen mafioze të italianit Francesco Diviesti.

Autoritetet sekuestruan kompani, automjete, llogari bankare dhe qindra mijëra euro cash.

Në Elbasan, regjisori Petri Bozo u arrestua pasi përplasi për vdekje një fëmijë 7-vjeçar.

Në dëshminë e tij, Bozo tha se po lëvizte me shpejtësi të ulët për shkak të “policit të shtrirë” dhe se tentoi të devijonte sapo kuptoi përplasjen.

Hetimet po verifikojnë dyshimet se automjeti mund të ketë qenë mbi limitin e lejuar të shpejtësisë.

Ndërkohë, GJKKO zhvilloi seancën e parë ndaj kryebashkiakut të Tiranë, Erion Veliaj, dhe 18 personave të tjerë.

Seanca u shty për më 10 qershor për shkak të mungesës së disa avokatëve, ndërsa gjykata vendosi pezullimin e afateve të paraburgimit për Veliajn.

Prokuroria e Tiranës i kërkoi sqarime AKU për zhbllokimin e aktivitetit të kompanisë Sori-Al, e cila furnizonte me ushqim studentët e Akademisë së Sigurisë.

Hetimet nisën pas helmimit të dhjetëra studentëve, ndërsa analiza laboratorike zbuluan baktere mbi normat e lejuara në një mostër ushqimi.

Në Sarandë u zbardhën detaje të reja nga operacioni kundër ndërtimeve pa leje.

Tre efektivë policie ranë në pranga për shpërdorim detyre, ndërsa në kërkim janë shpallur pronarët e beach-barit “Copacabana” dhe kryeinspektori i IMT-së. Hetimet dyshojnë për korrupsion dhe lidhje me grupe kriminale.

Në Spanjë u arrestua Kevin Margjoni, i konsideruar nga SPAK si pjesë e laboratorit të kokainës në Frakull të Fierit.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas masës “arrest me burg” të caktuar nga GJKKO.

Ndërkohë, drejtori i Policisë së Shtetit, Skender Hita, zhvilloi takime në Kukës dhe Dibër, ku kërkoi masa më të forta kundër kriminalitetit, drogës dhe zjarrvënieve, si dhe rritje të sigurisë në shkolla, rrugë dhe gjatë sezonit turistik. 

 

edicioni i lajmeve pamfleti

Lini një Përgjigje