Qindra shqiptarë të ardhur nga Europa janë mbledhur fillimisht në Sheshin “Skënderbej”, prej nga ku nisi marshimi drejt Kryeministrisë. Autokolonat me flamuj kuqezi kanë përshkuar rrugët e Tiranës, ndërsa protesta e nisur pas zhvillimeve në Zvërnec është kthyer prej tre javësh në thirrje kundër qeverisë dhe klasës politike.
Protesta e 21-të kundër qeverisë pritet të jetë një nga më të mëdhatë e zhvilluara deri më tani, pasi sot në Tiranë kanë mbërritur edhe qindra shqiptarë nga diaspora, të cilët do t’i bashkohen tubimit të mbrëmjes para Kryeministrisë.
Që prej mesditës, rrugët e kryeqytetit janë mbushur me autokolona makinash të zbukuruara me flamuj kuqezi. Bori, flamuj që valëviteshin nga dritaret e makinave dhe thirrje kundër qeverisë shoqëruan parakalimin e shqiptarëve të ardhur nga vende të ndryshme të Europës.

Pas paradës me makina, emigrantët janë mbledhur në Sheshin “Skënderbej”, nga ku nisën më pas marshimin drejt Kryeministrisë. Atmosfera është dominuar nga ngjyrat kuqezi, pankartat dhe thirrjet që prej tre javësh shoqërojnë protestat: “Rama ik”, “Rama jep dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Shqipëri e Re” dhe “Ju erdhi fundi”.

Protestat nisën pas zhvillimeve dhe përplasjeve rreth projektit në Zvërnec, por tashmë janë kthyer në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë, Edi Ramës dhe klasës politike.

“Kemi ardhur nga Londra, jemi nisur që pardje. Shpresojmë që sot të jetë dita e fundit për të. Jemi mbi 1 mijë makina nga e gjithë Europa”, tha një prej shqiptarëve të diasporës.

Një tjetër emigrant u shpreh se ardhja në Tiranë është një detyrim moral ndaj shqiptarëve që jetojnë në vend.
“Jemi këtu se kemi gjak shqiptari. Kemi ardhur t’u japim forcë e moral shqiptarëve, për t’u thënë që nuk janë vetëm. Ne kemi ikur, por nuk kemi humbur”, tha ai.
Mes pjesëmarrësve ka edhe shqiptarë që kanë udhëtuar me dhjetëra orë për të qenë sot në Tiranë.

“Kemi mbi 30 orë që kemi udhëtuar. Nuk duam që shqiptarët të përfundojnë emigrantë si ne dhe duam të kemi mundësi të kthehemi”, u shpreh një emigrant i ardhur nga Frankfurti.
Një tjetër pjesëmarrës e cilësoi protestën si moment historik.
“Historia është e jona. Nuk jetohet jashtë shtetit. Duhet të jetojmë në vendin tonë. Jemi të ndëshkuar kudo që shkojmë. Ka ardhur koha jonë”, tha ai.
Protesta pritet të nisë në mbrëmje para Kryeministrisë, ndërsa pjesëmarrja e diasporës shihet si elementi që mund ta bëjë tubimin e sotëm më të madhin që prej nisjes së protestave.

Lini një Përgjigje