Në ditën e 13-të të mobilizimit qytetar, protestuesit artikuluan për herë të parë hapur kërkesën për zgjedhje të parakohshme. Lëvizjes i janë bashkuar edhe emigrantët në disa vende të Europës, ndërsa thirrjet tashmë nuk drejtohen vetëm kundër qeverisë, por kundër gjithë kastës politike.
Ajo që nisi ditë më parë si një reagim qytetar është shndërruar tashmë në një revoltë më të gjerë kundër klasës politike shqiptare. Në mbrëmjen e 13-të të protestës para Kryeministrisë, pjesëmarrësit jo vetëm që përsëritën kërkesën për largimin e Edi Ramës, por artikuluan hapur edhe nevojën për zgjedhje të parakohshme dhe një përfaqësim të ri politik.
Aktualisht, protesta po vijon me një marshim në rrugët e Tiranës, ndërsa qindra qytetarë mbajnë në duar flamuj kombëtarë dhe pankarta me mesazhe kundër qeverisë dhe klasës politike. Nën thirrjet “Revolucion”, “Shqipëri e Re” dhe “Nesër më shumë”, protestuesit po marshojnë drejt institucioneve kryesore të vendit.
Ndryshe nga protestat tradicionale të viteve të fundit, ku përplasja zhvillohej mes mazhorancës dhe opozitës, këtë herë në bulevard janë dëgjuar thirrje kundër të dyja palëve. “Rama në burg, Berisha në burg”, “Shqipëri e Re”, “Ju erdhi fundi” dhe “Shqipëria është e jona” ishin disa nga sloganet që dominuan mbrëmjen.
Një nga momentet më domethënëse të protestës ishte kur një i ri iu drejtua turmës me një pyetje të drejtpërdrejtë: “Kam një pyetje për turmën. Doni zgjedhje të parakohshme? A doni që kjo revoltë të shkojë diku? Po apo jo?”
Përgjigjja erdhi menjëherë nga mijëra protestues të mbledhur në bulevard, të cilët shpërthyen në një “Po” të fuqishme, ndërsa më pas u hodh ideja që lëvizja të krijojë edhe një përfaqësi të saj.
Protesta po merr gjithnjë e më shumë tiparet e një lëvizjeje që sfidon të gjithë establishmentin politik. Në podium dhe mes turmës janë dëgjuar kritika jo vetëm ndaj qeverisë së Edi Ramës, por edhe ndaj opozitës tradicionale, e cila sipas protestuesve ka dështuar të përfaqësojë pakënaqësinë qytetare.

Ndërkohë, revolta ka kaluar tashmë kufijtë e Shqipërisë. Qindra emigrantë shqiptarë janë organizuar gjatë ditëve të fundit në Milano, Firence, Bolonja, Gjenova, Bruksel, Londër dhe Berlin, ku kanë zhvilluar tubime solidariteti dhe kanë shprehur mbështetje për protestuesit në Tiranë.
Me flamuj kuqezi dhe pankarta në duar, ata kanë bërë thirrje për ndryshim politik dhe për një Shqipëri ndryshe. Në shumë prej këtyre tubimeve kanë marrë pjesë studentë, profesionistë, familjarë emigrantësh dhe aktivistë të diasporës.
Pas gati dy javësh protestash të pandërprera, ajo që po ndodh në Tiranë duket se ka dalë prej kohësh jashtë kornizës së një kauze të vetme. Tashmë kërkesa kryesore që po merr formë në shesh është ndryshimi politik, zgjedhjet e parakohshme dhe largimi i një klase politike që protestuesit e konsiderojnë përgjegjëse për gjendjen e vendit.
Lini një Përgjigje