TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet26 Maj 2026, 22:08

"Prifti, mbulesë për paratë", Karamuço jep detaje nga aksioni i SPAK: Vrasja për “sedër” zbuloi pastrimin e parave

Shkruar nga Pamfleti

"Prifti, mbulesë për paratë", Karamuço jep

Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço ka zbuluar detaje të reja mbi operacionin e përbashkët mes SPAK dhe autoriteteve italiane, që çoi në goditjen e një grupi kriminal italo-shqiptar të përfshirë në trafik droge dhe pastrim parash.

I ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, Karamuço deklaroi se grupi kishte ndërtuar një skemë të sofistikuar për të fshehur qarkullimin e parave të pista, duke përdorur një prift dhe fasadën e bamirësisë.

“Para se të ndodhte vrasja, ata kishin ndërtuar një kamuflim shumë të sofistikuar. Kishin gjetur një prift për të mbuluar me një tis bamirësie të gjithë kanalet financiare të pastrimit të parave”, deklaroi Karamuço.

Sipas tij, prifti përdorej si prestanome për qarkullimin e parave jo vetëm të këtij grupi, por edhe të organizatave të tjera kriminale.

“Nuk ishin vetëm paratë e këtij grupi, por edhe të disa organizatave të tjera kriminale. Përmes këtij kanali ato vinin në Shqipëri dhe maskoheshin si aktivitete bamirësie apo investime të ligjshme”, tha ai.

Karamuço shpjegoi se grupi nuk konsiderohej ndër më të fuqishmit në trafikun ndërkombëtar të drogës, por ra në radarët e antimafias italiane pas një vrasjeje të stilit mafioz. “Për arsye sedre dhe mosbindjeje, u ekzekutua një shpërndarës që ishte edhe parukier”, u shpreh ai.

Sipas ekspertit, mënyra e ekzekutimit bëri që çështja të kalonte në duart e Prokurorisë Antimafia në Itali, e cila më pas zbuloi edhe aktivitetin financiar të grupit.

“Por gjithçka ndryshoi kur ndodhi vrasja, e cila ishte e stilit mafioz, dhe për këtë arsye u vendosën në përgjim. Ata kanë sisteme shumë të avancuara dhe të sofistikuara, ku kanë investuar jashtëzakonisht shumë, dhe praktikisht nuk u shpëton asgjë nga komunikimet”, shtoi Karamuço.

Ai vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin mes autoriteteve italiane dhe SPAK, duke përmendur prokurorin Vladimir Mara si pjesë kyçe të skuadrës së përbashkët hetimore.

“Më pas, italianët trokitën në SPAK, te prokurori Vladimir Mara, si pjesë e skuadrës së përbashkët, për të verifikuar dhe gjurmuar lëvizjet e parave”, vijoi eksperti.

Operacioni lidhet me hetimin e vrasjes së Francesco Diviesti, ngjarje e ndodhur më 25 prill 2025 në Canosa di Puglia, si dhe me aktivitetin e një organizate kriminale me bazë në Tiranë.

Sipas autoriteteve italiane, viktima fillimisht u përfshi në një konflikt në një lokal në Barletta dhe më pas u transportua në një zonë të izoluar në Murgia, ku u ekzekutua me armë zjarri. Trupi i tij më pas u dogj për të zhdukur gjurmët e krimit.

Në kuadër të hetimeve janë lëshuar 15 masa sigurie ndaj 11 shtetasve shqiptarë dhe 4 italianëve, ndërsa hetimet pritet të zgjerohen edhe më tej.

karamuco grup kriminal itali igli kamberi

Lini një Përgjigje