Akademiku Artan Fuga e sheh protestën qytetare si rezultat të një pakënaqësie të grumbulluar ndër vite ndaj klasës politike dhe institucioneve, e cila sipas tij ka qenë e dukshme prej kohësh në reagimet e qytetarëve dhe në rrjetet sociale.
Në një lidhje për "A2 CNN", Fuga deklaroi se protestat nuk kanë lindur papritur, por janë pasojë e një revolte që ka ardhur duke u formësuar gradualisht në ndërgjegjen publike.
“Protestën e kam parë në vazhdim të pakënaqësive disa vjeçare, të cilat i kam konstatuar në rrjetet sociale. Gjithmonë kam thënë se nuk është e vërtetë që qytetari shqiptar nuk ka ndërgjegje kritike. Dukej qartë që në ndërgjegjen e qytetarëve diçka po përgatitej, një lloj revolte që në një moment do të shpërthente”, u shpreh ai.
Sipas akademikut, protesta nuk mund të reduktohet vetëm në çështje ambientaliste, pasi në thelb ajo lidhet me mënyrën se si ushtrohet pushteti dhe merren vendimet publike.
“Qytetari ndihet i përjashtuar dhe përballë një autoritarizmi, përballë një vendimmarrjeje që e përjashton atë. Çështjet ambientaliste janë çështje politike, sepse kanë të bëjnë me mënyrën se si merren vendimet”, tha Fuga.
Ai argumentoi se vazhdimësia e protestës përbën një fenomen të pazakontë për realitetin shqiptar, duke pasur parasysh kushtet sociale dhe nivelin e organizimit të shoqërisë.
“Ne kemi një shoqëri të atomizuar, me individë të izoluar, mungesë sindikatash dhe organizimesh shoqërore. Në këto kushte, një lëvizje kolektive që vazhdon prej 15 ditësh është një fenomen që kapërcen të gjitha pengesat sociale që normalisht do ta bënin të pamundur”, deklaroi akademiku.
Fuga vlerësoi se protesta ka arritur tashmë të prodhojë ndikim politik, pavarësisht se sa do të zgjasë në kohë.
“Lëvizja kolektive ka arritur të dobësojë qeverinë në kuptimin politik, sepse ka treguar se ekziston një pakënaqësi e organizuar që nuk mund të injorohet”, përfundoi Artan Fuga.
Lini një Përgjigje