Pas heqjes së rrethimit prej hekuri, banorët e Rrjollit kanë arritur të largojnë edhe gardhin me tela me gjemba që ishte vendosur rreth pronave të tyre, ku po zhvillohet një projekt për ndërtimin e një resorti luksoz.
Siç duket edhe në pamjet nga protesta, qytetarët kanë rrëzuar në tokë gardhin pothuajse në të gjitha anët, duke mundësuar hyrjen në kantierin ku kanë nisur punimet.
Më herët gjatë ditës, protestuesit kishin arritur të shembnin edhe rrethimin metalik, pavarësisht përpjekjeve të forcave të policisë për t’i penguar.
Banorët e zonës prej afro një viti kanë denoncuar atë që e konsiderojnë tjetërsim të pronave të tyre. Sipas tyre, një ish-zyrtar i Kadastrës së Shkodrës ka ndërhyrë në dokumentacionin e pronësisë, duke ndryshuar certifikatat dhe më pas duke ia kaluar truallin investitorit që po zhvillon projektin turistik në vijën bregdetare të Velipojës.
Protestuesit shprehen se kërkojnë rikthimin e të drejtave mbi pronat e tyre dhe gjatë tubimit kanë artikuluar edhe thirrje të ngjashme me ato të protestave të zhvilluara në Tiranë.
“Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Edi Rama jepe dorëheqjen”, ishin disa nga thirrjet e dëgjuara në kor gjatë protestës.









Lini një Përgjigje