Eksperti i sigurisë dhe ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit, Shemsi Prençi, deklaroi në podcastin “Të Pashoq” se SPAK pritet të godasë shumë shpejt zyrtarë të lartë të shtetit, ndërsa paralajmëroi se në hetim janë disa “dosje të nxehta” që lidhen me nivelet më të larta të qeverisjes.
Komentet e Prençit vijnë në një moment kur prej muajsh është krijuar perceptimi se SPAK ka hyrë në një fazë qetësie pas largimit të Altin Dumanit nga drejtimi dhe ardhjes së Klodian Brahos.
Sipas ish-drejtuesit të Policisë, kjo periudhë nuk do të zgjasë gjatë.
“Unë jam i bindur dhe kam edhe informacione që tashmë disa dosje të nxehta, ku ka të implikuar zyrtarë të lartë të shtetit, edhe të niveleve të para, edhe të niveleve të dyta, edhe të niveleve të treta, besoj që do të ekzekutohen shumë shpejt. Edhe në kuadrin e detyrimeve që Bashkimi Europian i ka vendosur Shqipërisë për ecurinë e mbylljes së kapitujve”, deklaroi Prençi.
I pyetur nëse kjo do të thotë rikthim i “sezonit të peshqve të mëdhenj”, Prençi u përgjigj prerazi: “Po”.
Ai tha se shumë nga kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian lidhen drejtpërdrejt me çështje konkrete korrupsioni dhe abuzimi në nivele të larta.
“Po t’i lexosh me vëmendje kushtet e Bashkimit Europian, e kupton shumë qartë se për çfarë bëhet fjalë. Nuk përmenden emrat konkretë, nuk shkruajnë Shemsiu apo Ediona apo dikush tjetër, por po ta lexosh me vëmendje e kupton që kjo pikë flet për aksin, kjo për çështjen Balluku e kështu me radhë. Pra, emrat nuk janë aty, por çështjet janë shumë të qarta”, u shpreh ai.
Prençi paralajmëroi se muajt në vijim do të jenë test jo vetëm për SPAK-un, por edhe për Policinë e Shtetit.
“Jam i bindur që do të ketë goditje shumë të shpejta. Tashmë kjo është edhe një provë për Policinë e Shtetit dhe për institucionet ligjzbatuese shqiptare”, deklaroi ai në podcastin “Të Pashoq”.
Lini një Përgjigje