TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet27 Maj 2026, 20:18

“Nuk të toleron po krijove telashe”, Shemsi Prençi tregon pse Dubai po deporton kriminelët shqiptarë

Shkruar nga Pamfleti
“Nuk të toleron po krijove telashe”, Shemsi Prençi
Foto ilustruese

Eksperti i sigurisë dhe ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit, Shemsi Prençi, deklaroi në podcastin “Të Pashoq” se Emiratet e Bashkuara Arabe kanë nisur të deportojnë eksponentë të rëndësishëm të botës së krimit shqiptar, pasi sipas tij, ata kanë krijuar probleme edhe në Dubai.

Prençi tha se prej vitesh Dubai është konsideruar si një strehë e sigurt për figura të krimit të organizuar nga Shqipëria dhe Europa, për shkak të mungesës së marrëveshjeve të ekstradimit.

Dubai nuk ka marrëveshje ekstradimi me shumë shtete. Edhe Shqipëria ka pasur shumë vështirësi në këtë drejtim. Për vite me radhë, shumë eksponentë të botës së krimit kanë qëndruar atje pa probleme. Por Emiratet kanë një rregull shumë të qartë: nëse nuk krijon probleme në territorin e tyre, të lënë të qetë. Në momentin që përfshihesh në përplasje, incidente apo veprimtari kriminale që cenojnë sigurinë atje, ata nuk të tolerojnë”, deklaroi Prençi.

Sipas tij, disa nga figurat shqiptare të krimit të organizuar kanë krijuar tensione dhe konflikte edhe në Dubai, çka ka sjellë reagimin e autoriteteve arabe.

Disa nga eksponentët shqiptarë të botës së krimit nuk janë sjellë mirë as në Emiratet e Bashkuara. Kanë krijuar probleme edhe atje dhe për këtë arsye kanë nisur deportimet. Nuk kemi të bëjmë me ekstradim klasik, por me deportime policore për shkak të rrezikshmërisë dhe implikimeve të tyre”, u shpreh ish-drejtuesi i Policisë.

Prençi tha se këto deportime janë shumë të rëndësishme për SPAK-un dhe hetimet në Shqipëri, pasi shumë prej personave të kthyer dyshohet se kanë dijeni për atentatet dhe përplasjet mes grupeve kriminale.

Këta persona janë asete për organet e hetimit në Shqipëri. SPAK-u dhe policia kanë interes të madh tek ata, sepse Shqipëria ka mbi 32 atentate me më shumë se 50 viktima vitet e fundit. Shumica lidhen me larje hesapesh mes grupeve të trafikut ndërkombëtar të drogës. Deportimi i këtyre figurave mund të ndihmojë në zbardhjen e shumë ngjarjeve kriminale”, deklaroi Prençi.

Ai shtoi se bashkëpunimi i policisë shqiptare me Europol dhe Eurojust ka sjellë një tjetër nivel në shkëmbimin e informacionit dhe ndjekjen e eksponentëve të krimit të organizuar jashtë vendit.

prenci dubai

Lini një Përgjigje