TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet10 Qershor 2026, 20:06

Sheshi plot në ditën e 11-të, protestuesit sfidojnë qeverinë: Presioni po na bën më të fortë!

Shkruar nga Pamfleti
Sheshi plot në ditën e 11-të, protestuesit sfidojnë
Pankartat në protestë

Sipas tyre, sa më shumë shtohen presionet dhe përpjekjet për të minimizuar protestën, aq më shumë qytetarë po i bashkohen tubimeve në bulevard.

Pavarësisht kalimit të 11 ditëve nga nisja e protestës, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshi para Kryeministrisë vijojnë të mbushen me qytetarë që kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe ndryshime të thella politike në vend.

Protestuesit deklaruan se presionet, sulmet dhe përpjekjet për t'i dekurajuar nuk po e dobësojnë lëvizjen, por po prodhojnë efektin e kundërt. Sipas tyre, sa më shumë shtohen presionet dhe përpjekjet për të minimizuar protestën, aq më shumë qytetarë po i bashkohen tubimeve në bulevard.

"Sa më shumë na sulmojnë, aq më shumë mbushet sheshi", u shprehën disa prej pjesëmarrësve, duke theksuar se pjesëmarrja e lartë në ditën e 11-të është dëshmi se pakënaqësia qytetare po rritet dhe jo po zbehet.

Sheshi plot në ditën e 11-të, protestuesit sfidojnë

Ndryshe nga ditët e para, protesta e së mërkurës u karakterizua jo vetëm nga pjesëmarrja e lartë, por edhe nga shfaqja e pankartave dhe mesazheve të reja, të cilat dominuan atmosferën e tubimit dhe u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale.

Mes pankartave që tërhoqën më shumë vëmendje ishte ajo me mbishkrimin “O për sot, o për 148 vjet”, si dhe pankarta ironike “Tepsia do kurban”, e shoqëruar me fotografi të figurave kryesore të politikës shqiptare.

Studentët u shfaqën sërish në protestë me një bllok të organizuar, duke mbajtur pankartën e madhe “Nuk i ke larë akoma hesapet me studentët”, ndërsa mesazhe të tjera lexonin: “Kur studentët ngrihen shteti dridhet”, “Pa rininë nuk ka Shqipëri” dhe “Tani është radha jonë”.

Në protestë nuk munguan as mesazhet patriotike dhe simbolike. Një prej pankartave më të komentuara shkruante: “Prizren 1878, u bënë bashkë shqiptarët e 5 vilajeteve. Tiranë 2026, bëhen bashkë shqiptarët e 5 kontinenteve”, duke vënë theksin te bashkimi i shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit.

Protestuesit shpalosën gjithashtu pankarta kundër vendimmarrjeve të qeverisë, si “Toka jonë, vendimi ynë”, ndërsa të tjera i drejtoheshin drejtpërdrejt kryeministrit me mesazhe kritike dhe ironike.

Përveç sloganeve kundër qeverisë, në protestë u artikuluan edhe propozime konkrete për reformimin e sistemit politik. Në një pankartë të veçantë kërkohej “Qeveri e re, rrënjësisht”, shpërndarje e pushtetit dhe kufizim i mandatit të kryeministrit në 1 deri në 2 vite.

Gjatë tubimit vijuan edhe thirrjet e protestuesve si “Rama ik, Berisha ik”, “Qeveri e krimit”, “Edi Rama o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë” dhe “Shqipëri e Re”, ndërsa organizatorët bënë thirrje për ruajtjen e karakterit qytetar të protestës dhe vijimin e mobilizimit në ditët e ardhshme.

Pas 11 ditësh protestash të pandërprera, pjesëmarrja e lartë dhe mesazhet gjithnjë e më të larmishme tregojnë se lëvizja po shndërrohet në një platformë më të gjerë pakënaqësie qytetare, ku krahas kundërshtimit ndaj qeverisë po artikulohen edhe ide për ndryshime politike dhe institucionale.

protestuesit sfidojnë qeverinë

Lini një Përgjigje