TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Qershor 2026, 17:23

“Ajo është një dhuratë”/ Zbulohen detajet e reja, si e shfrytëzoi Epstein botën e modës!

Shkruar nga Pamfleti
“Ajo është një dhuratë”/ Zbulohen detajet e
Jeffrey Epstein

Një analizë e CNN mbi dokumentet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA zbulon detaje të reja mbi thellësinë e lidhjeve mes Epstein dhe figurave të industrisë së modelimit, përfshirë drejtues agjencish, administratorë dhe rekrutues.

Në email pas emaili, zbulues talentesh në industrinë e modelimit, të angazhuar në kërkimin e modeleve të reja në mbarë botën, ndanin informacione me një korrespondent të pazakontë: Jeffrey Epstein, një i dënuar për krime seksuale që nuk kishte asnjë rol zyrtar në këtë industri.

Një prej tyre mburrej me një kandidate si një “vajzë franceze e lezetshme” që “do të ishte e lumtur t’ju takonte”, ndërsa përshkruante edhe një grup vajzash 16 dhe 17 vjeç nga Skandinavia, të cilat “do të ishin gati vitin e ardhshëm”. Një tjetër rekrutues promovonte një 19-vjeçare ruse që ishte “gati për të udhëtuar”, ndërsa një tjetër e cilësonte një modele të re si “vajza më e mirë”.

“Ajo është një dhuratë që kisha planifikuar t’jua bëja,” shkruante rekrutuesi.

Këta profesionistë nuk ishin të vetmit që mbanin marrëdhënie me financierin e diskredituar.

Një analizë e CNN mbi dokumentet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA zbulon detaje të reja mbi thellësinë e lidhjeve mes Epstein dhe figurave të industrisë së modelimit, përfshirë drejtues agjencish, administratorë dhe rekrutues.

Dokumentet tregojnë një marrëdhënie reciproke mes autorit të krimeve seksuale dhe disa figurave të industrisë globale të modës. Epstein siguronte para, lidhje profesionale dhe ndihmë për vizat amerikane, ndërsa profesionistët e modelimit i jepnin atij qasje te gra të reja të huaja, shumë prej të cilave sot deklarojnë se ai i ka abuzuar seksualisht.

Edhe pas dënimit të tij për krime seksuale në vitin 2008, figura të industrisë vazhduan të kërkonin partneritete biznesi me të, ta ftonin në aktivitete mode dhe ta lejonin të lidhej me kompanitë e tyre. Kjo i jepte Epstein pamjen e një drejtuesi me ndikim, i aftë të vendoste për karrierën e modeleve që ai më pas shfrytëzonte.

CNN shqyrtoi email-e që tregojnë se të paktën gjashtë persona të industrisë përpiqeshin vazhdimisht ta lidhnin të regjistruarin si autor krimesh seksuale me modele të reja. Disa prej mesazheve përmbanin referenca seksuale, ndërsa të tjera dukeshin si rekomandime profesionale. Dokumentet tregojnë gjithashtu se shumë figura të tjera të industrisë ruanin korrespondencë miqësore me Epstein.

Disa bashkëpunëtorë të Epstein janë akuzuar për krime, përfshirë Jean-Luc Brunel, agjent francez modelesh, i akuzuar për abuzime nga një prej viktimave më të njohura të Epstein. Brunel vdiq me vetëvrasje në një burg në Paris pasi ishte arrestuar në vitin 2020 nën akuza për përdhunim të të miturave. Ai i kishte mohuar akuzat.

Figura të tjera të industrisë së modelimit që përmenden në dokumentet e Departamentit të Drejtësisë nuk janë akuzuar për shkelje dhe kanë deklaruar se nuk kishin dijeni për krimet e Epstein. Shumë prej tyre kanë thënë se e konsideronin atë një figurë legjitime në botën e modës për shkak të lidhjeve me ish-pronarin e Victoria’s Secret, financat e të cilit ai kishte menaxhuar dikur.

Daniel Siad, një rekrutues modelesh që organizoi takime mes Epstein dhe disa modeleve – përfshirë dy gra që i thanë CNN se ishin abuzuar prej tij – deklaroi se nuk kishte arsye të besonte se ato po dëmtoheshin. Sipas tij, Epstein i kishte thënë se kishte paguar për krimet e së kaluarës dhe se “kjo nuk do të ndodhte më me askënd” që ai do t’i prezantonte.

“Nuk kam dëgjuar kurrë nga ndonjëra prej vajzave që ia prezantova dhe që më pas të më thoshte se kishte pasur një përvojë të keqe. Besova se ai ishte një profesionist.”-tha Siad.

Megjithatë, dokumentet sugjerojnë se Siad e dinte se nuk po i prezantonte Epstein vetëm me modele. Në një mesazh të vitit 2018 ai shkruante se po kërkonte një “asistente të re dhe tërheqëse” për Epstein. Ai gjithashtu i dërgonte rregullisht fotografi të grave të reja që takonte gjatë udhëtimeve, disa prej tyre në poza provokuese.

Siad deklaroi se, duke parë pas, Epstein ishte një “kameleon” që e kishte mashtruar. Ai tha se ia kishin prezantuar si drejtor kastingu dhe se veçmas i kishte kërkuar ndihmë për të gjetur një asistente.

Lidhjet e Epstein me industrinë e modelimit janë pjesë e hetimeve që vazhdojnë nga ligjvënës dhe autoritete ligjzbatuese. Një hetim penal i nisur këtë vit në Paris po shqyrton informacione që lidhen me Siad, sipas prokurorit të Parisit. Dy ish-modele i thanë CNN se kanë folur me hetuesit francezë për të. Siad i mohon çdo shkelje.

Aktivistët thonë se këto hetime mund të sjellin përgjegjësi të vonuar për një industri që për dekada ka mbyllur sytë ndaj abuzimeve seksuale të modeleve të reja.

“Në disa raste, industria e modelimit është thjesht një fasadë për trafikimin e qenieve njerëzore. Mendoj se kjo ndodh në nivelet më të larta të biznesit,” tha Sara Ziff, themeluese e organizatës Model Alliance, e cila ka kërkuar hetime më të thelluara mbi mënyrën se si bota e modës mund të ketë lehtësuar abuzimet e Epstein.

“Bëje realitet ëndrrën time”

Shumë përpara se Epstein të bëhej i njohur për krimet seksuale, ai kishte krijuar reputacionin e një financieri misterioz me një klient të famshëm: Les Wexner, pronarin e perandorisë së Victoria’s Secret, i cili e kishte angazhuar për investime në vitet 1980.

Kjo lidhje me Wexner, së bashku me pjesëmarrjen e tij të rregullt në sfilata mode dhe prirjen për t’u rrethuar me modele të reja, forcuan imazhin e tij si pjesë e industrisë.

Megjithatë, Epstein nuk kishte asnjë rol formal në botën e modelimit. Kjo bie në kundërshtim me dokumentet e Departamentit të Drejtësisë, të cilat përmbajnë deklarata të modeleve aspirante që thonë se kontaktet profesionale ose rekomandimet i çuan drejt tij.

Një nga akuzat e para se Epstein po shfrytëzonte lidhjet me botën e modës u shfaq në një raport policor të vitit 1997 në Kaliforni. Një grua deklaroi se kur Epstein i kërkoi të zhvisheshe, ajo besoi se ai mund ta ndihmonte të hynte në katalogun e kompanisë së të brendshmeve.

“Ai e ndihmoi duke i ngritur bluzën, duke i ngritur fundin dhe duke i prekur të pasmet,” thuhet në raport. Autoritetet lokale nuk ngritën akuza ndaj tij.

Disa vite më vonë, në fillim të viteve 2000, Epstein joshi një grua nga Afrika e Jugut drejt SHBA-së duke i premtuar se do ta ndihmonte të ndërtonte karrierën si modele.

“Ai më tha se do ta bënte realitet ëndrrën time, por e ktheu në një makth,” tha Juliette Bryant, e cila deklaron se është abuzuar nga Epstein. Sipas saj, ai nuk e ndihmoi kurrë të siguronte një punë si modele.

Epstein krijoi një lidhje më të drejtpërdrejtë me industrinë përmes miqësisë me Jean-Luc Brunel, agjentin francez të modeleve, i cili shpesh udhëtonte me avionin privat të Epstein.

Rreth vitit 2005, Epstein i siguroi Brunel një linjë kredie prej 1 milion dollarësh, me të cilën ai krijoi kompaninë MC2 Model Management. Brunel ishte përballur më parë me akuza për drogim dhe sulme seksuale ndaj modeleve, por në atë kohë nuk ishte ndjekur penalisht dhe vazhdonte të punonte në industri.

Sipas dokumenteve, kompania synonte të përfaqësonte modele të modës së lartë në një agjenci të specializuar.

Por, sipas dëshmive të disa ish-modeleve të MC2, Epstein e përdorte herë pas here këtë agjenci për të krijuar kontakte me gra të reja, disa prej të cilave më pas i abuzonte.

Svetlana Pozhidaeva, modele me origjinë ruse, kishte punuar në Europë dhe fitonte deri në 2.000–3.000 dollarë në ditë. Ajo shpresonte të depërtonte në tregun amerikan. Ajo i tha CNN se Daniel Siad e prezantoi me Epstein, i cili i premtoi ndihmë për tregun e Nju Jorkut.

Ajo nënshkroi me MC2, por karriera e saj ngeci. Ndonjëherë siguronte vetëm një punë në javë me pagesë disa qindra dollarë.

Më pas, sipas saj, u bë asistente personale e Epstein. Ajo deklaron se kryente pak punë reale dhe për vite me radhë përjetoi abuzime.

Pozhidaeva tha se MC2 vazhdoi të sponsorizonte vizën e saj edhe pse ajo punonte për Epstein dhe jo si modele.

“E dija se nuk mund të shkoja askund tjetër për punë. Ata e dinin që po punoja për të dhe vazhdonin të rinovonin vizën time. Patjetër që ekzistonte një marrëveshje mes tyre,” tha ajo.

Dokumentet e Departamentit të Drejtësisë mbështesin pretendimet e saj. Email-et tregojnë se Epstein dhe kontabilisti i tij komunikonin me Brunel dhe presidentin e atëhershëm të MC2, Jeff Fuller, për çështje që lidhen me Pozhidaevën. Më vonë, kontabilisti i tha asaj të kontaktonte Fuller për një “zgjatje vize”.

Një tjetër ish-modele e MC2 deklaroi para Kongresit se agjencia “kontrollonte çdo aspekt” të jetës së saj dhe e kishte dërguar në shtëpinë e Epstein pasi ishte rekrutuar nga Uzbekistani.

Një modele e tretë i tha CNN se drejtuesit e MC2 në atë kohë, përfshirë Fuller, duhej të kishin vënë re sinjale alarmi, veçanërisht sepse Epstein strehonte disa prej modeleve në një apartament në Nju Jork. Ajo deklaron se ai e kishte ngacmuar seksualisht në mesin e viteve 2000.

Pas pranimit të fajësisë nga Epstein në vitin 2008 për sigurimin e një të miture për prostitucion, Fuller u përpoq publikisht të distancohej nga ai.

Megjithatë, dokumentet tregojnë se Fuller konsultohej me kontabilistin e Epstein ndërsa kompania kërkonte të shlyente borxhet.

Në një intervistë për CNN, Fuller deklaroi se nuk kishte dëgjuar ankesa dhe nuk kishte parë shenja abuzimi.

“Jam prind dhe kam dy vajza. Nëse dikush do të më kishte thënë se ndodhej në një situatë komprometuese, do të largohesha menjëherë nga kompania,” tha ai.

Ai minimizoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes financiare të Epstein për kompaninë dhe tha se nuk kishte dijeni për përpjekje për sigurimin e vizës së Pozhidaevës.

Modelja e tretë që pretendon se është abuzuar nga Epstein tha se e kishte të vështirë ta besonte këtë mbrojtje.

“Mund t’i mbyllësh sytë, por do të ishte shumë e vështirë të mos dije çfarë po ndodhte,” tha ajo.

Një rrjet global

Pas dënimit të Epstein në Florida, email-et tregojnë se shumë figura të tjera të botës së modës vazhduan kontaktet me të.

“Do të të dua dhe jem gjithmonë pranë teje”, i shkroi në vitin 2009 Faith Kates, bashkëthemeluese e agjencisë së njohur Next Management.

Kates i ofroi vazhdimisht favore. Gjatë kohës që Epstein vuante dënimin në Florida, ai i kërkoi asaj të verifikonte statusin e vizës së një gruaje. Ajo u përgjigj: “Do ta bëj.”

Më pas ajo e informonte për vendndodhjen e një modeleje nga Letonia, i rekomandonte mjekë për ndërhyrje estetike, siguronte bileta për sfilata mode dhe i përcillte emrin e një gruaje pasi Epstein i kishte kërkuar të mbante sytë hapur për “asistenten time të re”.

Email-et tregojnë se favoret ishin të ndërsjella.

Epstein i dhuroi Kates një çantë Prada që ajo e quajti “të mrekullueshme”, i dha këshilla biznesi, e ftoi në blerje me princin Andrew dhe i referoi modele.

“Epstein ishte një manipulues i jashtëzakonshëm. Njerëzit përreth tij dinin vetëm atë që ai donte të dinin. Zonja Kates ishte një nga ata që u mashtruan rëndë prej tij,” deklaroi një zëdhënës i saj.

Shumë prej modeleve që pretendojnë se janë abuzuar nga Epstein kishin ardhur në SHBA nga vende të tjera. Dokumentet hedhin dritë të re mbi mënyrën se si ai përdorte një rrjet global rekrutuesish jashtë SHBA-së, disa prej të cilëve i paguante drejtpërdrejt ndërsa kërkonin talente të reja.

“Mund të përgatis listën e vajzave,” i shkroi në vitin 2013 një grua e identifikuar si Victoria Housez.

Ajo i dërgonte vazhdimisht informacione për modele në fund të adoleshencës ose në fillim të të njëzetave. Në një mesazh shkruante: “Më thuaj ditën kur dëshiron të vij me të.”

Në një email tjetër prezantonte një vajzë që, sipas saj, e kishte zbuluar kur ishte vetëm 14 vjeçe.

Dokumentet nuk tregojnë nëse Epstein u takua ndonjëherë me këto modele, por tregojnë se ai i dërgoi Housez disa mijëra dollarë të regjistruara si “dhurata”.

Daniel Siad ishte një tjetër bashkëpunëtor i rregullt.

“Të lutem më dërgo detajet e vajzave,” i shkroi Epstein në vitin 2014.

Siad i dërgonte fotografi të grave të reja që takonte në Europë, Afrikën e Veriut dhe Karaibe. Ai organizonte gjithashtu biseda me video dhe takime personale.

Jo të gjitha rekomandimet e tij pëlqeheshin nga Epstein.

“Shumë e madhe në moshë,” u përgjigj ai kur Siad i dërgoi një foto të një gruaje që, sipas tij, kishte “potencial si modele ose asistente”.

Të tjera i miratonte.

Pozhidaeva deklaroi se ndikimi i dukshëm i Epstein në botën e modelimit e bëri atë t’i besonte.

“Ai kishte një ushtri zbuluesish modelesh, fotografësh dhe pronarësh agjencish. Ai ndërtoi një ekosistem të tërë,” tha ajo.

Dokumentet tregojnë se Siad kishte tërhequr vëmendjen e autoriteteve federale, megjithëse nuk është akuzuar.

Në një intervistë në Paris, ai mohoi me forcë se kishte ditur për abuzimet e Epstein.

“E kuptova shumë vonë se ky njeri ishte tepër i rrezikshëm,” tha ai. “Tani që e di çfarë ka bërë, nuk gjej fjalë. Jam plotësisht i tronditur.”

Hetimet vazhdojnë

Pas publikimit të dokumenteve, disa prej lidhjeve më të afërta të Epstein në botën e modelimit janë përballur me shqyrtim të ri publik.

Faith Kates njoftoi pensionimin nga Next në fund të vitit të kaluar, ndërsa qeveria amerikane po publikonte email-et e Epstein.

Kompania deklaroi se drejtuesit nuk kishin dijeni për marrëdhënien e saj me Epstein. Megjithatë, dokumentet tregojnë se edhe një bashkëthemelues tjetër kishte komunikuar me kontabilistin e Epstein për çështje biznesi dhe se vetë Epstein kishte marrë pjesë në një telefonatë me një kontabilist që punonte për Next.

Autoritetet amerikane kanë sinjalizuar se duan të lënë pas çështjen Epstein, por juridiksione të tjera vazhdojnë hetimet.

Një zëdhënës i prokurorisë së Parisit konfirmoi se hetimi vazhdon.

Ebba Karlsson, ish-modele, deklaroi për CNN se në shkurt paraqiti një kallëzim në polici kundër Siad, duke e akuzuar për përdhunim dhe trafikim njerëzor. Ajo tha se tani pret që “sistemi francez i drejtësisë të bëjë punën e tij”, duke shtuar se “kemi pritur shumë gjatë”.

Siad tha se nuk e kujton Karlsson.

“Nuk kam abuzuar kurrë me asnjë modele në jetën time,” deklaroi ai.

Një tjetër ish-modele franceze, Juliette, i tha CNN se gjithashtu ka folur me autoritetet franceze. Ajo deklaroi se takoi Siad në Francë në vitin 2004 dhe se ai e referoi te Epstein në Nju Jork.

Sipas saj, gjatë një takimi Epstein e preku në mënyrë të papërshtatshme dhe i tha se duhej të përmirësonte formën fizike përpara se ai ta prezantonte me agjenci modelimi. Ndërkohë, i ofroi mundësi për eskortë.

Duke parë pas, Juliette tha se industria e modelimit duhej ta kishte identifikuar qartë Epstein si grabitqar seksual dhe ta kishte ndalur.

“Epstein ishte vetëm një nga rreziqet me të cilat përballesha në atë botë,” përfundoi ajo./ Marrë nga CNN

epstein skandali hetimet bota e modes

Lini një Përgjigje