
Kreu i CIA-s, William Burns, ka deklaruar se rebelimi i armatosur nga udhëheqësi i grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin ishte një sfidë për shtetin rus që nxori në pah efektin gërryes të luftës së Presidentit Vladimir Putin në Ukrainë.
“Është e habitshme që Prigozhini i parapriu veprimeve të tij me akuza të ashpra mbi arsyetimin e rremë të Kremlinit lidhur me agresionin në Ukrainë dhe për mënyrën e drejtimit të luftës nga udhëheqja ushtarake ruse”, tha Burns gjatë një fjalimi në Fondacionin Ditchley, një organizatë me qendër në Oxfordshire të Anglisë që përqendrohet tek marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë.
“Këto fjalë dhe veprime do të kenë ndikim për disa kohë, një kujtesë e gjallë e efektit gërryes të luftës së Putinit në shoqërinë dhe regjimin e tij”, tha ai.
Zoti Burns, i cili shërbeu si ambasador i SHBA-së në Rusi nga viti 2005 deri në 2008 dhe u emërua drejtor i CIA-s në vitin 2021, e cilësoi rebelimin e Prigozhinit si një “sfidë të armatosur ndaj shtetit rus”.
Ai tha se rebelimi ishte një “çështje e brendshme e Rusisë në të cilën Shtetet e Bashkuara kanë pasur dhe nuk do të kenë asnjë rol”.
Që nga arritja e marrëveshjes një javë më parë për t’i dhënë fund rebelimit, Kremlini ka kërkuar të projektojë qetësi.
Lini një Përgjigje