Kërkesa pritet të paraqitet në bisedimet e reja në Uashington, ndërsa armëpushimi aktual po i afrohet përfundimit
Libani pritet të kërkojë një zgjatje prej një muaji të armëpushimit me Izraelin, i cili skadon së shpejti, gjatë një raundi të ri bisedimesh mes dy vendeve në Uashington të enjten.
Izraeli deklaroi përpara negociatave se nuk ka “mospajtime serioze” me Libanin dhe i bëri thirrje këtij të fundit të “bashkëpunojë” kundër milicisë Hezbollah, e mbështetur nga Irani, e cila kundërshton bisedimet dhe nuk merr pjesë në to.
Bisedimet e drejtpërdrejta mes dy vendeve më 14 prill ishin të parat pas disa dekadash. Menjëherë pas tyre, Shtetet e Bashkuara njoftuan një armëpushim 10-ditor, i cili pritet të përfundojë të dielën (26 prill).
Si në raundin e mëparshëm, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të ndërmjetësojë takimin mes ambasadorit të Izraelit, Yechiel Leiter, dhe ambasadores së Libanit, Nada Hamadeh Moawad, në prani të ambasadorit të SHBA-së në Liban, Michel Issa.
Në takim pritet të marrë pjesë edhe ambasadori i SHBA-së në Izrael, Mike Huckabee, sipas një zyrtari të Departamentit të Shtetit për AFP.
Një zyrtar libanez, që foli në kushte anonimiteti për agjencinë AFP, deklaroi se Libani do të kërkojë zgjatjen e armëpushimit për një muaj, si dhe “ndalimin e bombardimeve dhe të shkatërrimeve nga Izraeli në zonat ku ai është i pranishëm”, si dhe një angazhim për armëpushim.
Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, deklaroi të mërkurën se “janë në zhvillim kontakte për zgjatjen e periudhës së armëpushimit”.
Lini një Përgjigje