Administrata e Donald Trump ka hapur një front të ri përballjeje me Europën, këtë herë në industrinë farmaceutike. Sipas një raporti ekskluziv të Politico, Uashingtoni po ushtron presion ndaj vendeve europiane që të rrisin shpenzimet për ilaçet, me argumentin se amerikanët mbulojnë prej vitesh pjesën më të madhe të kostove të kërkimit dhe zhvillimit të medikamenteve të reja, ndërsa Europa përfiton nga çmime dukshëm më të ulëta.
Për të çuar përpara këtë strategji, administrata amerikane ka angazhuar edhe ambasadat e saj në kontinent, të cilat po zhvillojnë kontakte me qeveritë europiane për t'i bindur të ndjekin modelin e Britanisë së Madhe. Londra është vendi i parë që ka arritur një marrëveshje me administratën Trump për këtë çështje.
Mesazhi që po përcillet nga Uashingtoni është i drejtpërdrejtë: nëse Europa nuk paguan më shumë për ilaçet, rrezikon të humbasë investime të rëndësishme farmaceutike dhe të mbetet pas në aksesin ndaj medikamenteve më të reja.
Në qendër të kësaj nisme është vendosur Gjermania, tregu më i madh farmaceutik në Europë. Sipas burimeve të Politico, ministrja gjermane e Shëndetësisë Nina Warken dhe ministrja e Ekonomisë Katherina Reiche po zhvillojnë prej muajsh bisedime konfidenciale me Departamentin Amerikan të Shëndetësisë. Diskutimet përfshijnë investimet në sektor, politikat tregtare dhe mënyrën e përcaktimit të çmimeve të barnave.
Kjo kërkesë amerikane vjen në një moment kur Berlini po shqyrton reforma që synojnë uljen e kostove publike për ilaçet, ndërsa Uashingtoni po kërkon pikërisht të kundërtën: rritjen e shpenzimeve në favor të industrisë farmaceutike.
Sipas industrisë, diferenca e çmimeve mes SHBA-së dhe Europës mbetet e konsiderueshme. Për barnat e reja, pacientët amerikanë paguajnë mesatarisht rreth tre herë më shumë se ata gjermanë. Administrata Trump argumenton se kjo diferencë është e padrejtë dhe se vendet europiane duhet të marrin një pjesë më të madhe të barrës financiare për kërkimin dhe zhvillimin e ilaçeve.
Për të rritur presionin, kompanitë farmaceutike kanë paralajmëruar se mund të reduktojnë ose të zhvendosin investimet e tyre nëse vendet europiane vazhdojnë të mbajnë nën kontroll çmimet e barnave.
Javën e kaluar, kompania amerikane Eli Lilly dhe gjiganti gjerman Boehringer Ingelheim njoftuan se po reduktojnë plane investimi me vlerë miliarda euro në Gjermani, duke e lidhur këtë vendim me politikat e qeverisë për uljen e kostove në sektorin farmaceutik.
Administrata Trump po mbështetet te precedenti britanik. Pak javë më parë, Londra dhe Uashingtoni arritën një marrëveshje që mbronte kompanitë farmaceutike britanike nga tarifat amerikane për tre vjet. Në këmbim, Britania pranoi të rrisë gradualisht shpenzimet për medikamentet inovative dhe të zbusë kufizimet mbi çmimet e tyre.
Megjithatë, marrëveshja ka nxitur debate të forta në Mbretërinë e Bashkuar. Kritikët argumentojnë se qeveria britanike ka pranuar të paguajë miliarda paund shtesë pa siguruar përfitime të qarta në këmbim. Madje, disa organizata kanë nisur edhe procedura ligjore për ta kundërshtuar atë.
Një tjetër element që po shqetëson Europën është politika e re e Trump për çmimet e barnave, e njohur si “Kombi më i favorizuar”. Sipas kësaj formule, që pritet të zbatohet nga janari, SHBA do të kërkojë të paguajë për ilaçet çmimin më të ulët të aplikuar në një grup vendesh të zhvilluara, ku përfshihet edhe Gjermania.
Kjo ka krijuar shqetësim në industrinë farmaceutike, pasi kompanitë mund të shmangin hedhjen në treg të produkteve të reja në vende si Gjermania apo shtete të tjera europiane, për të mos ndikuar automatikisht në uljen e çmimeve në tregun amerikan, i cili mbetet më fitimprurësi në botë.
Megjithatë, shumë ekspertë europianë mbeten skeptikë ndaj kërkesave të Uashingtonit.
“Në Europë tashmë po paguajmë shumë për ilaçet”, thotë Yannis Natsis nga Platforma Europiane e Sigurimeve Shoqërore, i cili paralajmëron se qeveritë nuk mund t'i japin industrisë farmaceutike një “çek të bardhë” në një periudhë me presione të forta ekonomike.
Përtej debatit mbi barnat, kjo çështje shihet gjithnjë e më shumë si pjesë e strategjisë së Donald Trump për të rishikuar marrëdhëniet ekonomike me aleatët europianë. Pas mosmarrëveshjeve për tregtinë, tarifat dhe shpenzimet e mbrojtjes, në qendër të debatit transatlantik po vendoset tani edhe industria farmaceutike, një sektor me vlerë qindra miliarda euro dhe me ndikim të madh në ekonomitë e të dy anëve të Atlantikut.
Lini një Përgjigje