TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Qershor 2026, 14:04

Seri tërmetesh të forta tronditin Greqinë qendrore, raportohen dëme

Shkruar nga Pamfleti
Seri tërmetesh të forta tronditin Greqinë qendrore, raportohen
Ilustrim

Lëkundja më e fortë arriti magnitudën 5.2 ballë Rihter. Dëme materiale janë regjistruar në Prokopi dhe Dafnusa, ndërsa sizmologët vlerësojnë se fenomeni lidhet me aktivitetin e njohur sizmik të zonës…

Një seri tërmetesh të forta, të ndjera në një pjesë të madhe të Greqisë qendrore, goditën mesditën e së dielës Evian Veriore.

Lëkundja e parë u regjistrua në orën 12:58 me magnitudë 4.8 ballë Rihter. Dy minuta më vonë, në orën 13:00, pasoi një tjetër tërmet me magnitudë 4.3 ballë, ndërsa në orën 13:02 u regjistrua lëkundja më e fortë, me magnitudë 5.2 ballë Rihter.

Epiqendra e tërmeteve ishte pranë fshatit Prokopi, ku autoritetet regjistruan dëme të konsiderueshme në shumë ndërtesa. Situatë e ngjashme u raportua edhe në fshatin fqinj Dafnusa, ku u shemb një banesë e vjetër.

Sipas kreut të komunitetit lokal, disa rrëshqitje dherash kanë shkaktuar probleme në rrjetin rrugor të fshatit dhe zonave përreth. Ai kujtoi se e njëjta zonë u godit nga një tërmet me magnitudë 4.5 ballë në maj të vitit 2025, ndërsa më 6 mars 2023 ishte regjistruar një tërmet me magnitudë 5.1 ballë Rihter.

Në qytetin Limni të Evias, autoritetet lokale ndërhynë për të evakuuar disa gra të moshuara nga një banesë e dëmtuar. Sipas informacioneve zyrtare, ato janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë transferuar në një vend të sigurt.

Të paktën 10 pasgoditje

Pas tërmetit kryesor prej 5.2 ballësh, sizmografët kanë regjistruar të paktën 10 pasgoditje me magnitudë nga 2.4 deri në 3.3 ballë Rihter.

Lëkundjet u ndjenë edhe në rajonin e Atikës, ndërsa raportime për dridhje pati në një zonë të gjerë përreth Evias, përfshirë Sporadet, Volosin, Laminë dhe Livadhian.

Çfarë thonë sizmologët

Profesori i Sizmologjisë në Universitetin Aristotel të Selanikut, Kostas Papazahos, deklaroi për ERT se bëhet fjalë për një seri lëkundjesh sizmike në një rajon me shumë çarje aktive tektonike. Sipas tij, aktiviteti i regjistruar përputhet me karakteristikat e njohura sizmike të zonës dhe nuk paraqet arsye për shqetësim.

Sizmologu Athanasios Ganas theksoi se tërmeti prej 5.2 ballësh konsiderohet në kufijtë e një lëkundjeje të fortë, por është ende herët për të përcaktuar nëse ai përbën tërmetin kryesor të kësaj sekuence sizmike. Ai shtoi se çarja tektonike përgjegjëse për aktivitetin është e njohur dhe nuk ka potencial për të gjeneruar tërmete shumë të mëdha.

Edhe presidenti i Organizatës Greke për Planifikimin dhe Mbrojtjen nga Tërmetet (OASP), Efthimios Lekkas, deklaroi për ERT se në këtë zonë tërmetet shfaqen zakonisht në grupe brenda pak orësh ose ditësh, por me magnituda relativisht të ulëta. Sipas tij, karakteristikat e çarjeve lokale nuk favorizojnë zhvillimin e tërmeteve me magnitudë të lartë.

 

greqi termeti

Lini një Përgjigje