Pas firmosjes së memorandumit në Zvicër të premten, Uashingtoni dhe Teherani do nisin
60 ditë negociata për uraniumin. Trump kërkon frenimin e bombës atomike në këmbim të zhbllokimit të miliardave të ngrira. Pakti mbetet i brishtë, i kërcënuar nga kriza në Liban dhe sabotimet e opozitës së brendshme.
E kanë bllokuar, e kanë zvarritur dhe tashmë e kanë mbyllur. Madje, vetëm pak javë më parë në Islamabad, e paralajmëruan arritjen dhe pastaj e hodhën në erë. Gjithsesi, mbi atë tryezë tashmë të lëkundur e plot mosbesim mes amerikanëve dhe iranianëve, po negociohet sërish. Dhe këtë herë, po flitet seriozisht. Firmat - ato dixhitale - janë hedhur tashmë. Gjashtëdhjetë ditë: kaq do të zgjasë procesi i vështirë që ndan Republikën Islamike dhe Shtetet e Bashkuara nga një marrëveshje paqeje.
Gjithçka pritet të nisë të premten, pasi të dyja delegacionet të nënshkruajnë fizikisht memorandumin e mirëkuptimit. Nuk bëhet fjalë për paktin përfundimtar, por për
një “biletë hyrjeje” në fazën e dytë, e cila saktëson pikat minimale ku dy rivalët bien dakord: rihapja e Ngushticës së Hormuzit, heqja e bllokadës amerikane mbi portet iraniane dhe zgjatja me 60 ditë të tjera e armëpushimit të arritur në prill.
Dhe nga e premtja, fillon rruga e përpjetë. Udhërrëfyesi i këtyre 60 ditëve është shkruar tashmë. Do të flitet kryesisht për çështjen bërthamore. Nuk do të ketë vend për raketa balistike, as për Hezbollahun, as për Hamasin.
Lëshimet e tij duket se Trump i ka rreshtuar tashmë mbi tryezë. Flitet se ai do t’i njohë Republikës Islamike të drejtën për një program bërthamor civil, sipas modelit të asaj marrëveshjeje të vitit 2015 që ai vetë e bëri copë-copë, pra JCPOA e Barack Obamës.
Në këmbim, ai kërkon garanci që Teherani të mos ketë një rrugë të hapur drejt ndërtimit të bombës bërthamore. Po ashtu, Uashingtoni ka kërkuar një pezullim 20-vjeçar të pasurimit të uraniumit, Teherani ka ofruar vetëm 5 vite.
Ndoshta pika e takimit do të jetë diku në mes, 10 vjet. Ajatollahët do të angazhoheshin të mos tejkalonin pragun e karburantit civil - shumë larg 90 përqindëshit që duhet për një bombë - dhe të dorëzojnë 450 kilogramët e tyre të uraniumit të pasuruar në masën 60 për qind, të holluar dhe nën vëzhgimin e rreptë të inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.
Rruga më e mundshme është eksportimi: që në vitin 2015 Irani i kishte dërguar Rusisë 98 për qind të materialit, dhe Moska mund të shërbejë sërish si magazinë. Nganjëherë Trump e ngre stekën dhe jep të kuptojë se ndër ëndrrat e tij është shkatërrimi i plotë i asaj që ai e quan “pluhuri bërthamor”.
Nga ana tjetër, regjimi i Teheranit ka një nevojë dëshpëruese për të vjelë rezultate konkrete. Njerëzit e Mojtaba Khamenei-t kërkojnë që të zhbllokohen 24 miliardë dollarët e ngrirë jashtë vendit, dhe gjysma e tyre sipas burimeve mund të lirohen menjëherë.
Por mbi mënyrën se si do të mbërrijnë ato para, amerikanët kanë vendosur një rregull që e quajnë “performance-based deal”, pra një marrëveshje që matet me fakte në terren. Së pari dorëzohet materiali bërthamor, rihapet Ngushtica dhe mbyllen rubinetat e financimit të grupeve të armatosura.
Pasi të jenë kryer këto, do të vijnë përfitimet. Pra është një besim që blihet pjesë-pjesë, në këmbim të provave. Në letër marrëveshja ekziston. Në realitet, është e qartë se mjafton një shkëndijë e vogël për ta bërë copë-copë.
Rreziku i parë mban emrin Liban. Për Teheranin, ai është pjesë e pandashme e paktit: iranianët duan që armëpushimi të vlejë edhe për aleatin e tyre, Hezbollahun. Nëse Netanyahu vazhdon të bombardojë Bejrutin, për regjimin vetë armëpushimi konsiderohet i shkelur dhe ata ndihen në të drejtën e tyre për t'u përgjigjur.
Ata duan një provë të prerë: të shohin nëse Trump është i aftë të mbajë nën frena mikun e tij izraelit. Rreziku i dytë është koha. Iranianët negociojnë përmes rraskapitjes, dhe këtë e kanë bërë gjithmonë. Ata i zgjasin bisedimet, rezistojnë dhe këmbëngulin në çdo presje derisa t’i mbarojë durimi palës tjetër.
Vetëm se këtë herë, në anën tjetër të tryezës është Trump, i cili nuk njihet për ndonjë durim të madh. Zgjidhja brenda dy muajve e një çështjeje që mbart pas vetes 20 vjet mosbesim duket pothuajse e pamundur. Prandaj, skenari më realist është që ky afat të zgjatet, përmes atyre shtyrjeve të ultimatumeve që presidenti amerikan i ka aq qejf t'i shpallë.
Rreziku i tretë, ai më i heshturi, është populli. Ose më saktë: popujt. Kundërshtarët e brendshëm në të dyja kryeqytetet, ata që pas çdo lëshimi bërtasin për tradhti. Sapo të jetë tharë boja mbi letër, ata do të përpiqen të nxjerrin gjithçka nga binarët, duke akuzuar negociatorët se janë shitur.
Në Iran kjo ka ndodhur edhe më parë. E megjithatë, nën këtë fushë të minuar, një gjë mbetet e vërtetë dhe mban në këmbë procesin: të dyja vendet nuk e duan më luftën dhe kanë nevojë ta shesin fundin e armiqësive si një fitore të madhe.
Por ka një të vërtetë që po zë vend dalëngadalë në të dyja kryeqytetet: askush, as Trump dhe as Ajatollahët, nuk mund të fitojë dot vërtet. Për sa kohë që do të bërtasin se mund ta shkatërrojnë tjetrin, do të prodhojnë vetëm kriza të reja. Dalja e vërtetë nga tuneli do të hapet vetëm ditën kur ata të rreshtin së shtiruri./Pamfleti nga “Corriere della Sera”
Lini një Përgjigje