Kandidati i djathtë Aberaldo de la Espriela ka dalë në krye të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Kolumbi dhe do të përballet në balotazh me Ivan Cepedën, aleat i presidentit në largim Gustavo Petro.
Meqenëse asnjë kandidat nuk arriti të sigurojë shumicën absolute të votave, zgjedhjet do të shkojnë në raundin e dytë, i cili pritet të zhvillohet në qershor.
Sipas rezultateve zyrtare, pas numërimit të 99,98 për qind të votave, de la Espriela mori 44 për qind të mbështetjes, ndërsa Cepeda 41 për qind.
Megjithatë, Cepeda dhe presidenti Petro kanë hedhur dyshime mbi procesin zgjedhor, duke pretenduar pa paraqitur prova se qindra mijëra vota janë manipuluar dhe se aktorë të huaj kanë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.
Cepeda, senator progresist, ka premtuar të vazhdojë strategjinë e “paqes totale”, e cila synon arritjen e marrëveshjeve me grupet guerile dhe organizatat kriminale përmes negociatave.
Ai kryesonte shumicën e sondazheve para votimit, por gjatë javëve të fundit de la Espriela fitoi terren falë premtimeve për një luftë të ashpër kundër grupeve të armatosura dhe krimit të organizuar.
Rezultati i ngushtë i raundit të parë konsiderohet një sinjal pozitiv për kandidatin e djathtë, i cili pritet të përfitojë edhe nga votuesit e kandidatëve të tjerë konservatorë që mbetën jashtë balotazhit.
I njohur me nofkën “El Tigre” (Tigri), de la Espriela është një figurë e re në politikë dhe ka tentuar të pozicionohet si admirues i presidentit amerikan Donald Trump.
“Le ta ndjekin Shtetet e Bashkuara dhe demokracitë e botës këtë balotazh. Unë do ta udhëheq këtë betejë dhe do të jem luftëtari më i mirë kolumbian”, deklaroi ai para mbështetësve të tij pas publikimit të rezultateve.
Zgjedhjet po shihen si një referendum mbi qeverisjen e Gustavo Petros, i cili erdhi në pushtet me premtime për reforma progresive dhe negociata paqeje me grupet e armatosura.
Dhjetë vjet pas marrëveshjes historike të paqes me guerilët e FARC-ut, dhuna në Kolumbi është rritur sërish. Grupet e armatosura kanë zgjeruar kontrollin territorial, ndërsa sulmet me dronë dhe incidentet e sigurisë janë shtuar gjatë fushatës zgjedhore.
Në qershor të vitit të kaluar, kandidati presidencial Miguel Uribe Turbay u vra gjatë një tubimi politik, një ngjarje që tronditi vendin.
Megjithatë, Petro dhe Cepeda vazhdojnë të gëzojnë mbështetje të konsiderueshme falë politikave sociale, përfshirë rritjen e pagës minimale dhe programet e ndihmës sociale.
Aberaldo de la Espriela është avokat dhe biznesmen, i cili hyri në politikë përmes lëvizjes së tij “Mbrojtësit e Atdheut”. Programi i tij përfshin forcimin e ushtrisë dhe policisë, ndërtimin e burgjeve të reja, ashpërsimin e dënimeve dhe luftën kundër trafikut të drogës.
Ai propozon gjithashtu ulje taksash për bizneset, reduktimin e administratës shtetërore dhe zgjerimin e investimeve private.
Në të kaluarën, de la Espriela ka mbrojtur figura të përfshira në çështje të mëdha kriminale dhe financiare. Ai mori shtetësinë amerikane në vitin 2023 dhe në mediat kolumbiane përshkruhet shpesh si një politikan i djathtë ose i ekstremit të djathtë.
Ai mbështet të drejtën për armëmbajtje, përmirësimin e marrëdhënieve me Izraelin, tërheqjen e Kolumbisë nga disa organizata ndërkombëtare dhe ndërprerjen e negociatave të paqes me grupet e armatosura.
Kundërshtarët e tij kanë kritikuar disa prej propozimeve për sigurinë, duke argumentuar se ato mund të cenojnë të drejtat civile dhe garancitë ligjore.
Lini një Përgjigje