Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nuk e ka më të përfshirë finasteridin në raportin e tij më të fundit mjekësor, duke nxitur spekulime në mediat amerikane mbi arsyet e mundshme të mungesës së këtij medikamenti nga terapia e tij aktuale.
Finasteridi është një ilaç i përdorur gjerësisht për trajtimin e rënies së flokëve te meshkujt dhe për zmadhimin beninj të prostatës. Sipas mjekëve të Trump, ai e kishte përdorur rregullisht këtë medikament gjatë mandatit të tij të parë presidencial.
Raporti shëndetësor i publikuar së fundmi përmend tre medikamente të tjera që presidenti amerikan merr aktualisht, por nuk përfshin finasteridin. Kjo ka nxitur interesim nga mediat, të cilat kanë kërkuar sqarime nga Shtëpia e Bardhë.
Në reagimin e saj, Shtëpia e Bardhë deklaroi se raporti përmban të gjitha medikamentet që konsiderohen klinikisht të rëndësishme për t’u bërë publike dhe se nuk është lënë jashtë asnjë informacion që do të ndikonte në vlerësimin e gjendjes shëndetësore të presidentit.
Mungesa e finasteridit nga lista e barnave të publikuara ka rikthyer në vëmendje debatet rreth efekteve anësore të mundshme të këtij medikamenti. Sipas Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA), përdorimi i finasteridit mund të shoqërohet me efekte anësore seksuale, përfshirë uljen e dëshirës seksuale dhe disfunksionin erektil. Gjithashtu, në raste të caktuara janë raportuar ankth, depresion, pagjumësi dhe mendime vetëdëmtuese.
Pikërisht për shkak të këtyre paralajmërimeve, disa media amerikane kanë spekuluar se ekipi mjekësor i Trump mund të ketë rekomanduar ndërprerjen e trajtimit. Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar që presidenti e ka ndaluar përdorimin e finasteridit apo se një vendim i tillë lidhet me efektet anësore të raportuara.
Edhe Agjencia Italiane e Barnave (AIFA) ka paralajmëruar më herët për rrezikun e ndryshimeve serioze të humorit dhe mendimeve vetëvrasëse te disa përdorues të këtij medikamenti.
Lini një Përgjigje