Shfrytëzimi i ndjenjës së vanitetit të Donald Trump për të tërhequr mbështetjen amerikane në anën e tyre ka qenë një strategji e përdorur nga disa vende. Nga sirianët te polakët, shumë aktorë janë përpjekur ta joshin ish-presidentin amerikan për të siguruar ndihma dhe koncesione. Së fundmi, edhe ukrainasit, siç raporton New York Times, kanë provuar një qasje të tillë, ndërsa kërkojnë mënyra për të nxitur administratën amerikane të mbështesë më vendosmërisht Kievin dhe të kundërshtojë kërkesat territoriale të Rusisë.
Gjatë negociatave të muajve të fundit, një zyrtar ukrainas ka propozuar që një pjesë e Donbasit të kontestuar nga Rusia të quhet “Donnyland”. Ky emërtim përzien referenca ndaj Donbasit, Disneyland-it dhe, mbi të gjitha, emrit “Donald”, në nder të presidentit.
Propozimi duket paradoksal, duke pasur parasysh se i referohet një lloj “parku argëtimi” në një zonë të shkatërruar (rreth 80 me 60 kilometra), ku vijojnë luftime të ashpra, ndër më vdekjeprurëset në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Donbasi mbetet një nga pikat kryesore të bllokimit në negociata. Deri tani, kjo përpjekje nuk ka dhënë rezultate, ndryshe nga raste të tjera ndërkombëtare. Verën e kaluar, për shembull, sipërmarrës sirianë me ndikim, veçanërisht familja Al-Khayyat, i paraqitën një deputeti republikan projektin “Trump International Golf Club, Syria”, me synimin për të lehtësuar heqjen e sanksioneve amerikane ndaj Damaskut, objektiv që më pas u arrit.
Një rast tjetër është Armenia. Në gusht, pas afro 40 vitesh konflikti të përgjakshëm në Nagorno-Karabakh, Azerbajxhani dhe Armenia nënshkruan një marrëveshje paqeje në Shtëpinë e Bardhë. Në të njëjtën kohë, u dakordësuan për krijimin e një korridori tranziti të quajtur “Rruga Trump për Paqe dhe Prosperitet Ndërkombëtar” (TRIPP), që kalon përmes territorit armen dhe lidh enklavën azerbajxhanase të Nakhçivanit me pjesën tjetër të Azerbajxhanit.
Përpjekjet polake kanë pasur rezultate të përziera. Në vitin 2018, presidenti Andrzej Duda ofroi financimin e një baze të madhe amerikane pranë Varshavës, të quajtur “Fort Trump”, për të siguruar një prani të qëndrueshme të forcave amerikane në krahun lindor të NATO-s, në funksion të frenimit të Rusisë. Ideja u rikthye edhe vitin e kaluar, por projekti ende nuk është realizuar. Megjithatë, Duda ka marrë garanci nga administrata amerikane se nuk parashikohen reduktime të trupave amerikane në Poloni.
Lini një Përgjigje