Për vite me radhë, Edi Rama e ka pasur Ankaranë si një nga mbështetjet më të forta ndërkombëtare. Por teksa protestat në Shqipëri po marrin përmasa kombëtare, media të rëndësishme turke po rreshtohen hapur në krah të protestuesve, duke e lexuar revoltën si krizë të qeverisjes së Ramës dhe jo thjesht si një debat për projektet turistike...
Mediat turke kanë kthyer sytë nga Shqipëria, duke i kushtuar vëmendje të veçantë protestave që prej ditësh po mbajnë të ndezur debatin politik në vend. Por ndryshe nga shumë raportime ndërkombëtare që janë fokusuar te projektet turistike në Zvernec dhe Sazan, në Ankara protesta po interpretohet si diçka shumë më e madhe: një revoltë kundër mënyrës së qeverisjes së Edi Ramës.
Nga "Türkiye Today" te "Independent Türkçe", nga "Yeni Arayış" te "Nupel TV", mediat turke kanë publikuar analiza dhe raportime ku theksi nuk vendoset te resortet apo investimet, por te pakënaqësia e qytetarëve ndaj transparencës, llogaridhënies dhe mënyrës se si merren vendimet publike në Shqipëri.
"Türkiye Today", në një analizë të gjatë kushtuar asaj që e quan "Revolucioni i Flamingove", shkruan se historia nuk ka të bëjë realisht me familjen Trump apo me një resort luksoz. Sipas medias turke, protesta është shndërruar në një debat kombëtar mbi qeverisjen, transparencën dhe të drejtën e qytetarëve për të pasur zë në vendimet që ndikojnë të ardhmen e vendit.
Në të njëjtën linjë shfaqet edhe revista politike "Yeni Arayış", e cila argumenton se protestat janë rezultat i një "erozioni besimi" të krijuar prej vitesh. Sipas saj, pakënaqësitë e grumbulluara për projektet publike, koncesionet, institucionet dhe klimën politike kanë dalë tashmë në sipërfaqe përmes protestave.
Edhe "Independent Türkçe" e përshkruan situatën si një provë të rëndësishme për qeverinë e Edi Ramës, duke theksuar se kritikat e protestuesve shkojnë përtej çështjeve mjedisore dhe prekin korrupsionin, mungesën e transparencës dhe problemet e qeverisjes.
Ndërkohë, "Nupel TV" raportoi nga Tirana se protestuesit po drejtojnë kritika jo vetëm ndaj qeverisë, por ndaj të gjithë klasës politike shqiptare. Media veçon sloganet kundër Edi Ramës dhe Sali Berishës si shenjë e një pakënaqësie që tejkalon kufijtë tradicionalë partiakë.
Vëmendje ka tërhequr edhe fakti që disa profile dhe platforma të njohura në rrjetet sociale turke kanë transmetuar drejtpërdrejt protestat nga Tirana, duke i kushtuar zhvillimeve në Shqipëri një hapësirë të pazakontë.
Për shumë vite, ekranet turke kanë folur për investimet turke në Shqipëri, për bashkëpunimin strategjik dhe për raportin e veçantë mes Ramës dhe Erdoganit. Sot, në vend të inaugurimeve dhe marrëveshjeve, në qendër të vëmendjes janë protestuesit shqiptarë dhe kritikat e tyre ndaj qeverisë.
Aj që duket se solli kr8sjene madhe ishte vizita e Ramës në Izrael dhe elozhet që ai bëri ndaj Netanyahut. Si duket Erdogan nuk ka për t’ia falur lehtë.
Mënyra se si mediat turke po e lexojnë dhe po e transmetojnë revoltën shqiptare po ushqen gjithnjë e më shumë bindjen se mbështetja e pakushtëzuar që Edi Rama ka gëzuar për vite me radhë në Turqi nuk duket më aq e sigurt sa dikur. Për të mos thënë se Turqit po i dalin kundër. /Pamfleti
Lini një Përgjigje