
Bordi i Transparencës ka publikuar ditën e sotme vendimin e ri për çmimet e karburanteve në tregun vendas, të cilat do të hyjnë në fuqi më 15 maj 2026, nga ora 13:00.
Sipas vendimit, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin është caktuar në 198 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë nuk duhet të jetë më i lartë se 186 lekë për litër.
Ndërkohë, për benzinën, çmimi maksimal i shitjes me pakicë është vendosur në 185 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë në 173 lekë për litër.
Bordi bën të ditur se këto çmime do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme, ku do të reflektohen ndryshimet e reja të tregut.
Njoftimi i Bordit:
Bordi i Transparencës në datë 15 Maj 2026, në mbledhjen e radhës vendosi:
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 198 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 186 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 185 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 173 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 15 ora 13.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan te shitjes me pakice, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.
Lini një Përgjigje