Në fund, mbetet vetëm një shpresë, që herën tjetër, bashkë me flamurin nga Teksasi, Artur Metani të sjellë edhe ndonjë ide se si funksionon drejtësia.
Zyra e shtypit e ILD-së ka vendosur të na japë një lajm që na ngroh zemrën, Artur Metani ka vijuar turin e tij “heroik” në Teksas dhe Florida. Kulmi i kësaj sage institucionale? Ngritja e flamurit në Kapitolin e shtetit të Teksasit në Austin një ceremoni madhështore njëditore, që me siguri ka bërë drejtësinë shqiptare të ndihet më e lehtësuar… nga larg.
Flamuri u ngrit, u valëvit, u ul dhe më pas iu dorëzua personalisht z. Metani. Një suvenir i çmuar, ndoshta për t’u vendosur në zyrë, si kujtesë që diku në botë gjërat funksionojnë. Ndërkohë, në Shqipëri, drejtësia vazhdon spektaklin e saj absurd, procese penale që festojnë përvjetorë 20-vjeçarë, vendime që zvarriten më shumë se trafiku i Tiranës dhe një korrupsion që nuk lodhet kurrë.
Por mos u shqetësoni, prioritetet janë të qarta. Në 7 vite, Artur Metani ka lënë gjurmë të pashlyeshme, kërkoi shkarkimin e Enkeleda Hoxha dhe i uli pagën me 20% Pajtime Fetahu një antare e tre bandave kriminale në Elbasan. Një bilanc që, po ta shohësh me syrin e duhur, është pothuajse epik sidomos kur e krahason me mijëra ankesa që presin në sirtar.
Vetë Ministri i Drejtësisë, Besford Lamallari, pranon se institucioni ka trajtuar vetëm 2% të ankesave. Një shifër që në çdo vend tjetër do të ishte skandal, por këtu duket se është thjesht një statistikë e bezdisshme që nuk duhet të prishë humorin e udhëtimeve zyrtare.
A i dinë vallë Shtetet e Bashkuara të Amerikës këto “arritje” të Artur Metani, apo njohin vetëm ceremoninë e flamurit në Austin? Sepse përtej fotove dhe protokollit, zor se arrijnë deri atje historitë me nota ironike, e aq më tepër pretendimet për favorizim përmes mungesës së inspektimeve ndaj magjistratëve; po ashtu, vështirë se janë në dijeni për proceset që zgjasin me dekada, ankesat që pluhurosen në sirtar dhe një drejtësi që prodhon më shumë justifikime sesa rezultate një bilanc që nuk valëvitet nëpër kapitole, por rëndon çdo ditë mbi qytetarët.
Në fund, mbetet vetëm një shpresë, që herën tjetër, bashkë me flamurin nga Teksasi, Artur Metani të sjellë edhe ndonjë ide se si funksionon drejtësia. Sepse për momentin, duket se kemi më shumë ceremoni sesa vendime, më shumë udhëtime sesa rezultate dhe një sistem që ecën… vetëm në letëre propagandë.
Lini një Përgjigje