TAGS-AT E JAVËS

Forum 7 Shkurt 2026, 10:45

Melania Trump: Zëri i vetëm që guxon të sfidojë instinktet e presidentit amerikan

Shkruar nga Rohit Kachroo
Melania Trump: Zëri i vetëm që guxon të sfidojë
Melania dhe Donald Trump /

Në korridoret e diplomacisë evropiane, Zonja e Parë po shihet gjithnjë e më shumë si një forcë e moderuar dhe një kufizim i mundshëm privat për një presidencë që shpesh injoron normat ndërkombëtare. Ndryshe nga rrethi i ngushtë i Donald Trump, perspektiva e saj si emigrante evropiane ofron një qasje më kritike ndaj krizave globale, duke u kthyer në një fije shprese për aleatët e Amerikës…

Vlerësimet e dobëta janë njëfarë treguesi rreth “Melania”, dokumentarit më të ri me protagoniste Zonjën e Parë të Amerikës. Kritikët e kanë shfrytëzuar vanitetin dhe teprimet për ta shndërruar atë në një nga produksionet më të tallura të këtij shekulli.

Megjithatë, shifrat rekord - më shumë se 7 milionë dollarë në kinematë amerikane gjatë fundjavës së hapjes, sipas Hollywood Reporter, duke e bërë atë debutimin më të suksesshëm të një dokumentari në më shumë se një dekadë - tregojnë diçka krejtësisht tjetër rreth gruas në qendër të tij.

Sepse, ndonëse vetë filmi ofron pak informacion, vëmendja që ka tërhequr pasqyron një kuriozitet të vazhdueshëm: si është ajo në të vërtetë? Shumë rrallë e dukshme gjatë muajve të parë të presidencës së dytë të Trump, Melania Trump është bërë një figurë me magjepsje të vazhdueshme.

Ky kuriozitet grish të gjithë spektrin politik në Amerikë: nga mbështetësit që e paraqesin atë si një modele të shndërruar në idealin e matriarkës së MAGA-s, te ata që neveriten nga bashkëshorti i saj ose shqetësohen nga pyetja se çfarë lloj personi mund të ndajë një jetë me të.

Në Evropë, ku të ardhurat e dokumentarit mendohet të kenë qenë shumë më modeste, diplomatët nuk janë të magjepsur nga banaliteti i filmit. Ata po vlerësojnë ndikimin e figurës që ai përshkruan.

Dhe më konkretisht, nëse ajo mund të veprojë si një frenuese për një president, instinktet e të cilit kanë devijuar vazhdimisht dhe hapur nga ato të aleatëve të Amerikës. A do të përpiqej ajo ta bindte Trumpin të hiqte dorë nga ndërhyrja ushtarake në Grenlandë?

A mund t’ia ‘përdredhë’ krahun nëse ai mendon të ndërpresë mbështetjen amerikane për Ukrainën? Do të habitesha nëse ajo do të kishte një veto të fshehur gjatë këtyre momenteve hipotetike të krizës, por Melania ka diçka të vlefshme: aftësinë për të mos rënë dakord.

Ndërkohë pati edhe një tjetër rrëfim që duhej të ishte ndjekur me më shumë kujdes, sidomos nga kritikët. Jo portreti i shndritshëm i pushtetit që zakonisht të zbukuron, por

ai që tani po peshohet pa kamera, larg dritave të premierës - në ambasada, dhoma konferencash dhe ministri të jashtme që planifikojnë tre vitet e ardhshme të një presidence të dytë të paqëndrueshme të Trump.

Sipas shumë figurave të larta në qeverinë britanike dhe shteteve të tjera aleate të SHBA-së, Melania shihet gjithnjë e më shumë si një personazh me peshë: si një kufizim i mundshëm privat në një presidencë që ka treguar pak instinkt për përmbajtje, dhe akoma më pak respekt ndaj normave dhe institucioneve mbi të cilat u ndërtua rendi ndërkombëtar i pasluftës.

Siç ma tha një zyrtar i lartë i Mbretërisë së Bashkuar: “Ajo është një zë më i rëndësishëm nga sa e kuptojnë shumica e njerëzve. Dhe ne e pranojmë se ajo mund të bëhet edhe më e rëndësishme gjatë muajve në vijim”.

Një diplomat tjetër, në një kryeqytet tjetër evropian, ishte edhe më i qartë në lidhje me arsyen pse aleatët e vjetër të Amerikës po i kushtojnë kaq shumë vëmendje Zonjës së Parë: “Mund të imagjinoni skenarë ku figurat përreth presidentit nxisin veprime që shumë prej nesh do t’i konsideronin katastrofike, si për shembull në Ukrainë. Dhe shpresa jonë shkon tek Zonja e Parë, këshilla e së cilës përputhet më ngushtë me perspektivën tonë...”.

Ky vlerësim mund t’i duket i pabesueshëm kujtdo që e ka parë filmin 104-minutësh, të kritikuar për boshllëkun e tij të estetizuar. Por shumë nga aleatët më të ngushtë të Amerikës kanë njëfarë lehtësimi që ajo mbetet në sallën ku merren vendimet.

Kur ata marrin në konsideratë burrat që kanë qasjen më të drejtpërdrejtë në veshin e presidentit - veçanërisht figura të tilla si Zëvendëspresidenti J.D.Vance ose Sekretari i Luftës Pete Hegseth - ata e shohin Zonjën e Parë si më të lidhur ngushtë me vlerat që, për dekada të tëra, e kanë mbajtur bashkë “Perëndimin”.

Dhe ky besim bazohet në disa prova. Gjatë një takimi në korrik të vitit të kaluar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Trump tregoi se si u kthye në shtëpi pas një bisede të ngrohtë me Vladimir Putinin.

“Shkoj në shtëpi dhe i them Zonjës së Parë: ‘Fola sot me Vladimirin. Patëm një bisedë të mrekullueshme.’ Dhe ajo tha: ‘Vërtet? Por një qytet tjetër ukrainas sapo u bombardua...’”. Disa zyrtarë e cilësuan këtë vërejtje si një pranim të rrallë se ajo e sfidon atë privatisht në lidhje me Ukrainën, madje edhe në sfondin e një kulture politike që inkurajon një besnikëri ekstreme.

Ky instinkt është përkthyer në disa veprime konkrete. Ndihmësit e Trump thonë se Melania ka udhëhequr përpjekjet sekrete për të riatdhesuar fëmijët ukrainas të çuar në Rusi, duke përdorur një “linjë të hapur komunikimi” me Putinin për të çuar përpara çështjen.

Tetë fëmijë u ribashkuan me familjet e tyre pas këtyre diskutimeve, pjesërisht falë një letre që ajo i shkroi presidentit rus, të dorëzuar personalisht nga bashkëshorti i saj gjatë samitit të tyre në Alaskë verën e kaluar. Të mërkurën, ajo u tha gazetarëve se mbetet në kontakt me Putinin për të siguruar kthimin e më shumë fëmijëve ukrainas.

“Po punoj për këtë dhe jemi në proces. Shpresoj të kemi sukses shumë shpejt,” tha Melania. E megjithatë, politika e Trump ndaj Rusisë nuk ka ndryshuar rrënjësisht gjatë vitit të kaluar, pavarësisht pozicionit të marrë nga gruaja e tij.

Pikëpamja e tij mbetet se Ukraina duhet të bëjë lëshime territoriale si pjesë e një paqeje të negociuar. Po ashtu, ai këmbëngul se Putini dëshiron një marrëveshje. Shumë aleatë të NATO-s nuk pajtohen me këtë qasje. Pra, ndoshta Melania është në disavantazh në raport me numrin e madh të burrave që kërkojnë me ngulm veshin e burrit të saj.

Sigurisht, Melania është një emigrante evropiane në Shtetet e Bashkuara, e lindur dhe e rritur në Slloveni, vend që e fitoi pavarësinë nga Jugosllavia pesë vjet para se ajo të shpërngulej në Nju Jork në vitin 1996.

“Ajo flet publikisht mbi edukimin e saj. Por nga veprimet, është e qartë se ajo sjell një perspektivë të ndryshme nga shumica e njerëzve që dëgjon presidenti”- më tha një zyrtar i lartë i Evropës Lindore.

Lidhur me sigurinë evropiane, shtuan ata, skepticizmi i saj ndaj dashamirësisë së burrit të saj për Putinin, mund të përfaqësojë pikëpamjen më kritike që ai dëgjon për Ukrainën, përveç atyre të udhëheqësve si Emmanuel Macron, Keir Starmer ose vetë Volodymyr Zelensky.

Melania nuk është pioniere në ripërcaktimin e rolit të Zonjës së Parë, një pozicion që nuk është përcaktuar kurrë zyrtarisht, por i cili prej kohësh është investuar me një pushtet të dukshëm.

Kur Jill Biden bëri histori si bashkëshortja e parë e presidentit që kreu një punë të paguar jashtë Shtëpisë së Bardhë - duke dhënë mësim anglisht në Virxhinian veriore - ajo ende respektonte traditën e njohur të miratimit të një kauze politike, duke mbështetur parandalimin e kancerit.

Ashtu si Michelle Obama që u përqendrua në shëndetin e fëmijëve dhe Laura Bush tek arsimimi i tyre. Megjithatë, ishte ndikimi i saj pas dyerve të mbyllura - në javët pas debatit katastrofik presidencial të Joe Biden, ndërsa ai po i rezistonte thirrjeve për t’u tërhequr përpara se ta bënte këtë përfundimisht - ai që zbuloi diçka më domethënëse: një formë bindjeje të rrënjosur jo në titull apo mandat, por te afërsia, besimi dhe autoriteti për të thënë atë që nuk mund ta thonë institucionet.

Zyrtarët evropianë mund ta kenë ekzagjeruar ndikimin e Melanias. Sigurisht, bashkëshorti i saj gjithmonë i ka besuar instinkteve të tij. Një pyetje me të cilën përballen tani aleatët e Amerikës është: Kur këto instinkte përplasen me vlerat e rendit ndërkombëtar, a është i gatshëm dhe i aftë ta ndalojë personi më i afërt me të?

Sigurisht, Trump do të bëjë çfarë të dojë. Por për aleatët që analizojnë rrethin e ngushtë të njerëzve të tij, ka njëfarë sigurie në faktin se Zonja e Parë e SHBA-së duket se i sheh pak a shumë si ata disa nga krizat e mëdha ndërkombëtare./Përshtati Pamfleti nga “The Intelligent Paper”

melania trump donald trump instiktet e presidentit

Lini një Përgjigje

Forum