TAGS-AT E JAVËS

Kronike 1 Korrik 2026, 11:15

Nga kokaina te mashtrimet online, raporti i Europol: Call center-at në Shqipëri mashtruan viktima në mbarë botën, mbi 50 mln euro dëmi

Shkruar nga Pamfleti
Nga kokaina te mashtrimet online, raporti i Europol: Call center-at në

 

Agjencia evropiane për zbatimin e ligjit në BE, Europol ka publikuar raportin e dytë për rrjetet kriminale që kërcënojnë kontinentin e vjetër.

Dy vite pas publikimit të raportit të parë “Dekodimi i rrjeteve kriminale më kërcënuese të BE-së”, Europol sjell një tjetër panoramë të këtyre grupeve, ku mafia shqiptare zë një rol të rëndësishëm.

Në raport theksohet se rrjetet kriminale shqiptare janë vendosur në Amerikën Latine dhe vazhdojnë të përfitojnë nga lidhjet e tyre me kartelet e drogës.

Në raport vlerësohet se mafia shqiptare mund të lëvizë dërgesa shumëtonëshe me kokainë nga Amerika Latine drejt Evropës.Në mesin e krimeve të analizuara janë edhe ato financiare. Në këtë drejtim, mashtrimet me qendrat telefonike në Shqipëri zënë një vend të rëndësishëm në raportin e Europol.

Roli i rrjeteve shqiptare në Amerikën Latine

'Ndrangheta italiane ka krijuar rrugë të gjera të trafikut të kokainës në Amerikën Latine dhe përdor rrjete kriminale shqiptare për të mbikëqyrur këto marrëveshje në terren.

Si pasojë, ajo ka arritur të krijojë një pozitë dominuese në trafikun e drogës nga Amerika Latine, duke siguruar kontroll të plotë mbi të gjithë procesin kriminal, nga burimi deri te shpërndarja përfundimtare.

Disa rrjete kriminale shqiptare janë vendosur në Amerikën Latine dhe vazhdojnë të përfitojnë nga marrëdhëniet e tyre të vazhdueshme me kartelet e drogës.

Edhe rrjete të tjera kriminale nga Ballkani Perëndimor kanë zgjeruar pjesëmarrjen e tyre në trafikun ndërkombëtar të kokainës.

Rrjet shqiptar i trafikut të drogës që bashkëpunonte me rrjete të tjera kriminale

Një rrjet kriminal shqiptar, i organizuar mbi baza klanore, merrej me trafikun e kokainës dhe pastrimin e parave.

Rrjeti organizonte dërgesa shumëtonëshe kokaine nga Amerika Latine drejt porteve kryesore të Evropës, duke operuar në shkallë globale.

Për të realizuar këto transporte të mëdha, rrjeti bashkëpunonte me shumë organizata të tjera kriminale, si brenda Bashkimit Evropian ashtu edhe jashtë tij.

Udhëheqësi i rrjetit koordinonte dërgesat nga vende të largëta, duke përdorur mjete komunikimi të koduara (të enkriptuara).

Rrjet kriminal i lidhur me kartelin "Los Lobos"

Një rrjet trafiku droge, i lidhur me kartelin ekuadorian Los Lobos, ishte objekt i një hetimi ndërkombëtar.

Rrjeti drejtohej nga një person i konsideruar si objektiv me vlerë të lartë për autoritetet.

Ai përdorte kompani eksporti frutash si mbulim për aktivitetet e paligjshme, duke fshehur drogën brenda ngarkesave të ligjshme.

Sinjalizimet për kontejnerë të dyshimtë çuan në kontrolle të përqendruara dhe sekuestrime në portet kryesore evropiane.Rrjeti ekuadorian bashkëpunonte me një rrjet kriminal shqiptar.

Anëtarët e këtij rrjeti shqiptar udhëtonin rregullisht në Ekuador për të negociuar marrëveshje.

Qeliza kriminale që vepronin në vende të ndryshme evropiane merreshin me logjistikën dhe shpërndarjen e mëtejshme të drogës brenda Bashkimit Evropian.

Qendra telefonike të organizuara profesionalisht të përfshira në mashtrime investimesh

Një rrjet kriminal i angazhuar në një skemë mashtrimi online në shkallë të gjerë operonte disa qendra telefonike (call center) në Shqipëri.

Këto qendra ishin të organizuara në mënyrë profesionale, me një ndarje të qartë të detyrave ndërmjet ekipeve të specializuara, të koordinuara nga drejtues ekipesh dhe menaxhmenti i lartë. Në total, punësonin rreth 450 persona.

Reklamat në rrjetet sociale dhe motorët e kërkimit promovonin platforma investimi që dukeshin të ligjshme.

Viktimat e mundshme kontaktoheshin nga punonjësit e call center-it, shpesh në gjuhën e tyre amtare, për të fituar besimin e tyre. Pasi regjistroheshin në platformë, ata bindeshin të transferonin shuma të tjera parash.

Viktimat ndodheshin në të gjithë Evropën dhe në vende të tjera të botës, ndërsa dëmi financiar total vlerësohet të ketë qenë të paktën 50 milionë euro.

Ky rrjet kriminal u shkatërrua në vitin 2026, pas një hetimi ndërkombëtar që zgjati dy vjet.

Lini një Përgjigje