TAGS-AT E JAVËS

Kronike23 Qershor 2026, 14:56

Trafik droge dhe dokumente false, dënohen me burg dy shqiptarë në Britani; zbardhen emrat

Shkruar nga Pamfleti
Trafik droge dhe dokumente false, dënohen me burg dy shqiptarë në
Dënohen me burg dy shqiptarë në Britani

Dy shqiptarë janë dënuar me burg në Mbretërinë e Bashkuar pasi u shpallën fajtorë për përfshirje në shpërndarjen e kokainës dhe posedim të dokumenteve të falsifikuara.

Zenel Marku, 34 vjeç, dhe Eldjan Mandri, 24 vjeç, morën dënimet nga Gjykata e Kurorës në Chester, pas hetimeve që zbuluan aktivitetin e tyre në tregtimin e lëndëve narkotike.

Gjatë procesit gjyqësor u bë e ditur se Marku do të përballet edhe me pasojat e arratisjes nga një burg i hapur në vitin 2021, pak kohë pasi ishte transferuar aty gjatë vuajtjes së një dënimi të mëparshëm për vepra të rënda penale të lidhura me drogën, të kryera në vitin 2018. Gjykata konstatoi gjithashtu se të dy të pandehurit kishin hyrë ilegalisht në territorin britanik.

Sipas prokurorisë, një efektiv i policisë së Cheshire kishte konstatuar një shkëmbim të dyshuar droge mes Eldjan Mandrit dhe një personi tjetër të paidentifikuar. Ndërsa Mandri u largua nga zona, personi tjetër u ndalua nga policia dhe u dha hetuesve përshkrime për dy shqiptarët, si edhe mesazhet që kishte marrë prej tyre.

Një natë më pas, operatorët e kamerave të sigurisë sinjalizuan policinë për një tjetër transaksion të dyshuar droge pranë një kanali. Oficerët identifikuan sërish Mandrin, i cili hodhi lëndën narkotike në ujë sapo vuri re praninë e policisë. Megjithatë, autoritetet arritën të sekuestronin një sasi të vogël droge. Sipas hetimeve, gjatë arrestimit telefoni i tij merrte vazhdimisht telefonata nga persona që kërkonin të blinin lëndë narkotike.

Gjatë kontrollit të banesës ku qëndronin, policia gjeti rreth 2 mijë paund para në cash, si dhe dokumente të falsifikuara që u përkisnin të dy të pandehurve.

Mbrojtja e Zenel Markut argumentoi se ai kishte vepruar nën presionin e grupeve kriminale për të shlyer borxhe, ndërsa për Eldjan Mandrin u tha se kishte mbërritur në Britani në kërkim të një jete më të mirë, por më pas ishte përfshirë në shpërndarjen e drogës në këmbim të strehimit dhe një pagese të ulët.

Në përfundim të procesit, Gjykata dënoi Zenel Markun me gjashtë vjet e gjashtë muaj burg për të gjitha veprat penale. Ky dënim do të nisë pasi ai të ketë përfunduar edhe gjashtë vitet e mbetura nga dënimi i mëparshëm i dhënë në vitin 2018.

Ndërkohë, Eldjan Mandri u dënua me 26 muaj burg, ku përfshihen edhe tre muaj shtesë për posedimin e dokumenteve të falsifikuara. Pas vuajtjes së dënimit, ai do të dëbohet nga Mbretëria e Bashkuar.

trafik droge burg dy shqiptare britani

Lini një Përgjigje