Një qytetar që mori fjalën në protestën e 49-të para Kryeministrisë reagoi ndaj zhvillimit të Kuvendit Qytetar të mbajtur sot në Tiranë, duke theksuar se protesta duhet të mbetet një lëvizje e qytetarëve dhe jo të përfaqësohet nga individë apo struktura të veçanta.
Sipas tij, protesta ka tashmë një grup koordinativ që organizon aktivitetin e saj dhe askush nuk ka të drejtë të flasë në emër të gjithë protestuesve.
Ai u shpreh se çdo person është i lirë të japë mendimin e vet, por kjo nuk do të thotë se përfaqëson qëndrimin e protestës.
"Protesta është e popullit, është sakrificë. Sot janë munduar disa njerëz, me vullnetin e mirë, të bëjnë një përçapje për fuqizimin e protestës. Ata janë përmendur me emra. Protesta e ka grupin koordinativ që e mban gjallë. Kjo protestë është zëri i popullit. Kushdo që del këtu, del me mendimin e tij. Nuk flet në emër të protestës. Në asnjë formë masive", deklaroi ai.
Në fund të fjalës së tij, qytetari u bëri thirrje protestuesve të mos lejojnë përçarje dhe të bashkohen rreth objektivave të përbashkëta.
"Shqiptarë të mirë, të mblidhemi në këtë shesh pa dallime e pa përçarje. Mos të çojmë ujë në mullirin e qeverive kriminale. Të bashkohemi të gjithë dhe të mos ndikohemi nga përçapjet, pasi synimi ynë mbetet realizimi i pesë pikave të protestës", u shpreh ai.
Ish-deputetja e Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, e cila tashmë ushtron mandatin si deputete e pavarur, iu bashkua edhe këtë të shtunë protestës së zhvilluar në Tiranë, ku qytetarët kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama.
Nga fotot e publikuara nga sheshi, vërhet deputetja Koçeku e cila qëndron krah qytetarëve që protestojnë.
Pjesëmarrja e saj në tubim ishte paralajmëruar më herët përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ku njoftonte se do të ishte në shesh në ditën e 49-të të protestës kundër qeverisë.
Koçeku u largua nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, duke deklaruar se nuk mund të ishte më pjesë e shumicës dhe se do ta vijonte mandatin si deputete e pavarur në përfaqësim të qytetarëve.
Pas njoftimit të largimit nag PS, Koçeku akuzoi Ramën se përdori grupet kriminale për ta kërcënuar.
Që prej largimit nga Partia Socialiste, ajo është rreshtuar krah protestuesve, duke mbështetur kërkesat e tyre për ndryshim politik dhe largimin e kryeministrit Edi Rama.
Aktivisti Edison Lika ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë gjatë protestës së 49-të qytetare para Kryeministrisë, duke denoncuar atë që e cilësoi si një fushatë presioni të Tatimeve ndaj fermerëve dhe bizneseve në kulmin e sezonit turistik.
Sipas Likës, inspektorët e Tatimeve po ushtrojnë kontrolle dhe kërcënime që po pengojnë fermerët të shesin prodhimet e tyre, ndërsa po ushtrojnë presion edhe ndaj bizneseve në bregdetin e jugut.
"Shumë fermerë që shesin shalqi e pjepër në autostradën që lidh Durrësin me Lushnjen, Divjakën dhe Kavajën, po përballen me ndërhyrjet e Tatimeve, të cilët nuk i lënë të shesin produktet e tyre. Tatimet janë vërsulur edhe ndaj bizneseve në bregdetin e jugut. Edhe atje po i kërcënojnë me mbyllje biznesesh dhe me sekuestrimin e kompjuterëve", deklaroi ai.
Aktivisti u bëri thirrje fermerëve, sipërmarrësve dhe të gjithë qytetarëve që, sipas tij, ndihen të goditur nga veprimet e qeverisë, t'i bashkohen protestës.
"I ftojmë të gjithë biznesmenët dhe fermerët të bashkohen në sheshin e rezistencës, sepse vetëm në këtë mënyrë do t'i ndalim këta maskarenj grabitqarë. Vetëm nga ky shesh do të burojë demokracia dhe barazia", u shpreh Edison Lika.
Një prej pjesëmarrësve në protestën qytetare, që po zhvillohet prej 49 ditësh para Kryeministrisë, ka vlerësuar atmosferën dhe pjesëmarrjen në tubim, duke e cilësuar atë si të veçantë.
Gjatë fjalës së tij, ai u shpreh se protesta qytetare është e paprecedentë dhe se, sipas tij, nuk ka një tjetër të ngjashme.
"Protestë më të bukur se kjo nuk ka. As në botë. Ky është sheshi më i bukur", deklaroi protestuesi.
Më tej, ai iu drejtua edhe klasës politike, duke kërkuar ndryshim dhe duke i bërë thirrje kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, të largohet nga drejtimi i opozitës.
"Ti, Berisha, jep dorëheqjen, je i shitur te Rama. Se Ramën e kemi parë ne", u shpreh ai gjatë protestës.
Protesta qytetare ka hyrë sot në ditën e saj të 49-të, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se tubimet do të vijojnë deri në realizimin e kërkesave të protestuesve.
Protesta kundër qeverisë ka vijuar edhe sot për të 49-ën ditë radhazi, me qytetarë që janë mbledhur përpara Kryeministrisë duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama. Gjatë tubimit, disa protestues morën fjalën, duke bërë thirrje për vazhdimin e mobilizimit dhe bashkimin e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit.
Një prej protestuesve tha se tubimi u ka rikthyer shpresën qytetarëve dhe u bëri thirrje të gjithë pjesëmarrësve të mos tërhiqen deri në realizimin e kërkesave të tyre.
“Ky shesh, këta njerëz të mrekullueshëm dhe kushdo tjetër që ka ardhur nga çdo cep na kanë kthyer shpresën se ne Shqipërinë do ta marrin sërish mbrapsht, nga ata që na kanë uzurpuar. Të shporrim këtë diktaturë. Ju nuk jeni dorëzuar dhe ne nuk do të dorëzohemi deri sa të ia arrijmë qëllimit”, u shpreh një tjetër protestues.
Në protestë foli edhe një emigrant shqiptar, i cili tha se diaspora mbështet këtë lëvizje dhe se do të jetë pjesë e ndryshimit që, sipas tij, kërkohet në vend.
“Vij nga diaspora. Diaspora ju mbështet. Ne do të jemi pjesë e protestës, pjesë e ndryshimit të madh”, u shpreh ai.
Më tej, ai u ndal te roli i diasporës, nevoja për një shtet që u shërben qytetarëve dhe kujtoi angazhimin e tij në lëvizjen studentore të vitit 1990.
“Vij nga Diaspora. Diaspora ju mbështet. Ne do të jemi pjesë e protestës, pjesë e ndryshimit të madh. Ky popull ka vuajtur dhe ka nevojë për një shtet të ri që ti shërbejë sovranit dhe jo këtyre oligarkëve. Jam pjesë e lëvizjes studentore të 90, ne nuk arritëm atë që kishim si ide, donim një Shqipëri europiane, por na u futën në mes agjentura e shtetit”, tha ai.
Protesta kundër kryeministrit Edi Rama ka hyrë në ditën e saj të 49-të, ndërsa qytetarët vijojnë të mblidhen në shesh duke kërkuar dorëheqjen e tij. Organizatorët theksojnë se kërkesa mbetet e pandryshuar dhe se protesta do të vazhdojë deri në arritjen e këtij objektivi.
Gjatë tubimit, aktivisti Edison Lika deklaroi se lëvizja nuk do të zhvillojë negociata jashtë protestës dhe se, sipas tij zëri i qytetarëve përfaqësohet vetëm në shesh dhe jo nëpër zyra.
“Sot është treguar se kjo shoqëri nuk mund të futet më nëpër zyra. Do të jetë vetëm në sheshe. Çdokush që pretendon se me këtë protestë mund të negociojë nëpër zyra e ka gabim, me këtë protestë negociohet vetëm në shesh. Përfaqësuesit e protestës janë në shesh dhe kush mendon se mund ta përfaqësojë e ka gabim. Kjo protestë ka nevojë për zgjidhje dhe jo për përfaqësi. A mund të negociohet me revolucionin? Ne bëhemi bashkë vetëm për rrethimin e Edi Ramës dhe këtij sistemi korruptivo-kriminal”, tha ai.
Ndërkohë një tjetër qytetar u shpreh i vendosur se shqiptarët duhet të rrëzojnë diktaturën, duke theksuar se korrupsioni është i përhapur në çdo institucion shtetëror.
Ky është revolucioni i shqiptarëve. Ka përfshirë të rinj, por dhe fëmijë. Korrupsioni fillon te komisariati, në kryeministri, në parlament, kudo! Duhet ta rrëzojmë këtë diktaturë. Revolucion. Të bashkuar!”, tha ai.
Një prej aktivisteve të protestës qytetare, e cila prej 49 ditësh zhvillohet para Kryeministrisë, ka rikujtuar kërkesat kryesore që, sipas saj, kanë bashkuar qytetarët në këtë lëvizje.
Gjatë fjalës së saj, ajo theksoi se protesta nuk ka vetëm një kërkesë, por një platformë të plotë ndryshimesh politike dhe institucionale, duke nisur me largimin e qeverisë aktuale.
Sipas aktivistes, pika e parë dhe e panegociueshme është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e gjithë qeverisë, e ndjekur nga krijimi i një qeverie tranzitore me mandat 12-mujor, e cila do të ketë si mision realizimin e reformave kushtetuese dhe garantimin e barazisë së qytetarëve përpara ligjit.
Ajo renditi gjithashtu si kërkesa kryesore ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe të ligjit për financimin e partive politike, si dhe vendosjen e kufizimit të mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate.
Në fjalën e saj, aktivistja u ndal edhe te çështjet që lidhen me mjedisin dhe pronën, duke kërkuar shfuqizimin e ligjeve që, sipas protestuesve, kanë dëmtuar interesin publik.
"Kërkojmë anulimin e ligjeve për zonat e mbrojtura, trashëgiminë kulturore, 'Paketën e Maleve' dhe investimet strategjike. Këto janë pikat që qytetarët i kanë parashtruar dhe për të cilat vijon protesta", u shpreh ajo.
Protesta qytetare ka hyrë sot në ditën e saj të 49-të, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se tubimet do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Qytetarët mblidhen sërish para Kryeministrisë: "Rama, jep dorëheqjen!"
Qytetarët janë mbledhur edhe këtë të shtunë përpara godinës së Kryeministrisë, në ditën e 49-të të protestës së tyre, duke vijuar kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e gjithë kastës politike.
Ajo që nisi si një reagim kundër projektit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit është shndërruar tashmë në një lëvizje të gjerë qytetare, ku protestuesit akuzojnë qeverinë për korrupsion, keqqeverisje dhe kapje të institucioneve, ndërsa kërkojnë një ndryshim të sistemit politik.
Qindra qytetarë janë grumbulluar fillimisht në sheshin "Skënderbej", ndërsa më pas do të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë. Ashtu si në ditët e mëparshme, tubimi do të shoqërohet me fjalime të aktivistëve dhe qytetarëve, të cilët do të denoncojnë, sipas tyre, dështimet e qeverisë, situatën ekonomike dhe standardin e jetesës në vend.
Protestuesit kanë bërë të qartë se nuk do të tërhiqen derisa kryeministri Edi Rama të japë dorëheqjen. Njëkohësisht, ata kërkojnë largimin edhe të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, si dhe të gjithë klasës politike që, sipas tyre, ka mbajtur peng vendin prej më shumë se tre dekadash.
Edhe protesta e sotme pritet të shoqërohet me brohoritje, këngë patriotike dhe pankarta me mesazhe ironike drejtuar qeverisë dhe politikës. Thirrje si "Rama ik!", "Berisha ik!", "Ikni të gjithë!", "Poshtë kasta politike!", "Duam Shqipërinë si gjithë Europa!", "Jep dorëheqjen!" dhe "Ju erdhi fundi!" janë kthyer tashmë në sloganet kryesore të kësaj lëvizjeje.
Ndërkohë, organizatorët kanë njoftuar edhe një ndryshim të rëndësishëm në kalendarin e protestave. Në vend të tubimit të zakonshëm pasdite para Kryeministrisë, më 23 korrik protesta do të zhvillohet paradite përpara Kuvendit të Shqipërisë, në të njëjtën kohë me seancën e fundit plenare të këtij sesioni parlamentar.
Sipas organizatorëve, prania e qytetarëve para Parlamentit gjatë zhvillimit të seancës synon të ushtrojë më shumë presion ndaj deputetëve përpara mbylljes së punimeve të Kuvendit për pushimet verore.
Pas 49 ditësh radhazi në shesh, organizatorët këmbëngulin se protesta do të vazhdojë çdo ditë deri në plotësimin e kërkesave të saj, ndërsa i bëjnë thirrje qytetarëve t'i bashkohen edhe protestës së paralajmëruar para Kuvendit më 23 korrik.
Ka nisur për të 49-ën ditë radhazi mbledhja e protestuesve në sheshin "Skënderbej".
Kërkesa kryesore e kësaj lëvizjeje, e cila prej javësh ka mbushur sheshin "Skënderbej" dhe Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", mbetet e pandryshuar: dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i plotë i asaj që protestuesit e konsiderojnë si "kastë politike", që sipas tyre e ka mbajtur peng vendin për më shumë se tre dekada.
Një i moshuar u bëri thirrje qytetarëve nga i gjithë vendi që t'i bashkohen protestës, duke e cilësuar këtë moment si vendimtar.
“Hajdeni shqiptarë, mblidhuni këtu. Ejani në protestë. Si tha ajo ministrja serbe, foli për spastrim të shqiptarëve. Ndaj hajdeni shqiptarë, mblidhuni këtu, o sot o kurrë!”, u shpreh ai.
Një pensionist ngriti shqetësimin për nivelin e pensioneve dhe kërkoi vendosjen e minimumit jetik, duke thënë se shumë të moshuar nuk arrijnë të përballojnë as shpenzimet bazë.
“Protestoj që të vendoset minimumi jetik. Pensioni nuk na del as për ilaçe. Na ndihmojmë fëmijët tonë. Minimumin jetik nuk e donte as Berisha dhe as Rama. Por Avokati i Popullit duhet ta vendosë këtu në shesh me popullin”, u shpreh pensionisti.
Një tjetër protestuese, e moshuar, rrëfeu problemet që, sipas saj, ka hasur me drejtësinë dhe policinë, si edhe situatën e djalit të saj.
“Jam një e moshuar që kam probleme me drejtësinë, me policinë. Më kanë vjedhur shtëpinë, dikur ma morën dhe sot djalin e kam në burg”, u shpreh ajo.
Ajo tha se djali i saj ndodhet në burgun e Drenovës, në Korçë, ndërsa shprehu vështirësinë për ta ndjekur çështjen për shkak të moshës dhe gjendjes së saj shëndetësore.
“Ma kanë çuar në Drenovë të Korçës djalin. A mund ta ndjek unë pleqëri deri atje? Nuk tërhiqem dot zvarrë”, deklaroi e moshuara.
Lini një Përgjigje