Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së enjtes sorollatjet për hapjen e Muzeut pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, i prezantuar me shumë bujë, por deri më sot nuk është hapur, për “probleme teknike”.
Projekti, ndërtimi dhe mbikëqyrja kanë kushtuar rreth 1 milionë euro, por hapja është shtyrë pambarimisht, fillimisht për vonesën e firmave fituese dhe më pas në restaurimin e materialeve që do të vendosen në stenda.
Në vitin 2023 dhe 2024, ish drejtori i Arkivave, Ardit Bido, prezantoi projektin e Muzeut, duke thënë se do të hapet shumë shpejt. Madje, u prezantua edhe një video 3D se si do të dukej Muzeu, para edhe një grupi historianësh të huaj.

Sipas dokumenteve që ka hulumtuar Fiks Fare, tenderi i parë ishte për projektimin, i shpallur në muajin nëntor 2022, me një vlerë 833 mijë lekë. Në muajin maj të vitit 2023 u hap procedura “muzealizimi dhe sistemi i mbrojtjes nga zjarri për Muzeun Arkivor”, me një vlerë 83 milionë lekë dhe me kohëzgjatje 6 muaj. Procedura e parë u anulua, për shkak se nuk u paraqit asnjë ofertë e përshtatshme.
Procedura u rishpall me të njëjtën vlerë në qershor të vitit 2023, ku fitues u shpall bashkimi i operatorëve “OB Konstruksion dhe ED Konstruksion”, megjithëse s’kanë pasur ofertën më të ulët. Në muajin gusht të vitit 2023 u lidh edhe kontrata, e cila duhet të përfundonte pas 6 muajsh!
Megjithë këto shpenzime, a është hapur muzeu pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave?

Një bashkëpunëtore e Fiks Fare shkoi në atë Drejtori për të pyetur nëse është hapur muzeu, duke u kërkuar se një grup do të vinte nga Italia për t’a vizituar. Përgjigja e punonjësve ishte se “ende s’është hapur”, pa i dhënë një afat kohor. Një tjetër përgjigje ishte se “ka probleme teknike”, teksa agonia vijon në atë institucion.
Pas kësaj përgjigje, gazetarët e Fiks Fare shkuan dhe intervistuan drejtorin aktual Auron Rrokaj. Ai tha se Muzeu është marrë në dorëzim në fund të viti 2024 dhe Arkiva kishte 1 vit kohë për të parë nëse do të kishte probleme. “Ka pasur disa probleme që firma kontraktore ka ardhur dhe i ka rregulluar. Kemi bërë të gjitha përgatitjet, vonesa ka ardhur në restaurimin e dokumenteve dhe materialeve. Po përgatisim dhe disa rregullore dhe shumë shpejt do të hapet” tha Rrokaj.
Fiks Fare e pyeti nëse ka informacion sesa kushtoi projektimi, ndërtimi apo mbikëqyrja, si dhe procedurat e tjera të Arkivës. Ai tha se restaurimi në laborator kushton. Një tjetër procedurë e hapur nga Drejtoria e Arkivave ka qenë blerje për pajisje laboratorike, me një fond rreth 9 milionë lekë. Sërish, në shërbim të Muzeut, i cili ende nuk është hapur dhe vijon të gllabërojë para.
Drejtori tha se për shifrën e saktë do t’na e dërgonte me shkrim. Në përgjigjen me shkrim, Rrokaj tha se vlera e prokurimit ka qenë 99.8 milionë lekë me TVSH, ose rreth 1 milionë euro. Sipas tij, nga kjo vlerë, i është mbajtur operatorit ekonomik vlera prej 7.1 milionë lekë si penalitet për vonesën prej 83 ditësh në realizimin e punimeve. Projektimi dhe mbikëqyrja kanë kushtuar 1.6 milionë lekë.
Në të njëjtën përgjigje, Arkiva thotë se kurimi i dokumenteve, përpunimi i materialeve fotografike, audio dhe video, ka qenë një proces jashtë këtij projekti. Në intervistë, drejtori tha se në monitorë po hidhen disa video dhe foto. I njëjti institucion, në vitin 2023, ka hapur një tender për digjitalizimin e materialeve me zë dhe figurë”. Vlera e tenderit ishte 46 milionë lekë. Pra, tenderët për kompletimin e Muzeut kanë vijuar.
Pyetjes se përse është vonuar hapja e Muzeut, Arkiva tha se marrja e përkohshme në dorëzim të punimeve është bërë në datën 1 shtator 2024 dhe punimet janë realizuar me vonesë.
Fiksi e pyeti Arkivën se ish drejtori Ardit Bido deklaroi në vitin 2023 dhe 2024 se Muzeu do të hapej shumë shpejt. Përgjigja ishte se “institucioni nuk mund të komentojë deklarata të titullarëve dhe ish-titullarëve”.
Lini një Përgjigje