Partia Socialiste po feston këtë pasdite 35-vjetorin e themelimit të saj në Sheshin “Italia” në Tiranë, në një aktivitet ku në qendër të vëmendjes pritet të jetë kryeministri dhe njëherazi kryetari i PS-së, Edi Rama.
Sipas informacioneve nga organizatorët, socialistët do të qëndrojnë në këmbë gjatë gjithë aktivitetit, ndërsa Rama do të jetë i vetmi që do të mbajë fjalim para të pranishmëve. Ndryshe nga përvjetorët e tjerë, nuk janë parashikuar përshëndetje apo fjalime nga figura të tjera të partisë.
Gjatë ceremonisë do të transmetohen gjithashtu materiale filmike kushtuar historisë 35-vjeçare të Partisë Socialiste, rrugëtimit të saj politik dhe periudhave kryesore që kanë shënuar jetën e kësaj force politike që prej themelimit në vitin 1991.
Aktiviteti po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie. Mediave nuk u është lejuar hyrja brenda perimetrit të rrethuar ku po mbahet ceremonia, ndërsa hyrja është kufizuar vetëm për personat e pajisur me autorizimet përkatëse.
Po ashtu, gjatë zhvillimit të aktivitetit, baret dhe lokalet në zonën pranë stadiumit “Air Albania” janë mbajtur të mbyllura, ndërsa në terren janë angazhuar forca të shumta policie dhe shërbime sigurie.
Ky 35-vjetor e gjen Partinë Socialiste në mandatin e saj të katërt qeverisës, por në një klimë krejt ndryshe nga festimet e viteve të kaluara. Aktiviteti zhvillohet në një kohë kur vendi po përjeton ditën e 13-të të protestave qytetare, ku një nga kërkesat kryesore të protestuesve është largimi i kryeministrit Edi Rama.
Si s’u vjen turp!