Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dënoi gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së kërcënimet që, i janë adresuar deputetes Marjana Koçeku, e njohur si Neomalësorja, e cila u largua së fundmi nga Partia Socialiste.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se qëndron pas këtyre kërcënimeve, duke pretenduar se kreu i qeverisë vepron sipas “ligjit të mafias” dhe jo sipas ligjit.
“Kërcënimet e Edi Ramës janë të dënueshme. Kërcënimet që i janë bërë deputetes Koçeku janë absolutisht të dënueshme, tregon vetëm ligjin e mafies. Ai ka vetëm një ligj, ligjin e mafies”, tha kryedomokrati.
Gjatë fjalës së tij, ai u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve që t’i bashkohen protestës së paralajmëruar, duke theksuar se ajo nuk është protestë partiake, por qytetare.
“Përgëzoj gjimnazistët, studentët, mësuesit, pedagogët për mbështetjen e protestës. Mund të kesh bindje partiake, mund të jesh i mërzitur, por ajo është protestë e qytetarëve, ata bëjnë detyrën si qytetarë. Ndaj thirrja ime është, të gjithë, i madh dhe i vogël, se ajo është paqësore dhe unike, të gjithë në protestë. PD nuk është organizatore e saj, PD në mënyrë absolute është në respekt të plotë të qytetarëve, kurse axhenda e tyre kundër Ramës është përpjekja jonë prej vitesh, axhenda e tyre për ligjet është absolutisht axhenda jonë, kemi paguar edhe çmimet për axhendë. Axhenda e tyre kundër korrupsionit është axhenda jonë”, tha ai.
Kreu demokrat ngriti akuza edhe ndaj ministrit të Financave, Petrit Malaj, lidhur me publikimin në Kuvend të listës së 17 kompanive të deputetit të Partisë Mundësia, Agron Shehaj. Sipas Berishës, veprimi përbënte shantazh dhe shkelje të ligjit.
“A ju kujtohet kur ju thashë për të se është i Lubisë (për ministrin), nxori listën e kompanive të deputetit atje (Agron Shehajt), ju thashë se është i Lubisë, si agjent spiun nxori listën atje. Këta janë banditë, ky ishte shantazh, ai meriton t’i hiqet mandate dhe të shkojë atje ku ka vendin. Ka ligje këtu, këta tejkalojnë çdo lloj kufiri, Ministër Financash dhe nxjerr listën, kërcënon. Nuk ka ndodhur ndonjëherë, si mund të dalë një ministër, nuk lanë gur pa lëvizur vetëm për të shantazhuar. Nëse nuk ka paguar taksat shko dhe ndëshkojë, nëse s’e ka të ligjshme, bllokoje. Por aty komandon Lubia, ju them, ka dërguar me skaf në Greqi, skafi plotë, ka bërë udhëtime, ua them unë këtë, po përgatitet edhe azili i saj. Ju siguroj se shumë shpejt do merrni vesh se ajo është instaluar në një shtet tjetër, po”, u shpreh ai.
Berisha komentoi edhe megaoperacionin e SPAK kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, duke vlerësuar punën e Prokurorisë së Posaçme, por duke akuzuar njëkohësisht qeverinë për lidhje me krimin e organizuar.
“Salvator Alia ka disponuar 50 tonelata drogë. Imagjinoni çfarë fuqie ka pasur kundër opozitës. Të frymëzuar dhe të mbështetur nga Ergys Agasi dhe nga Edi Rama. Shqiptarët e kuptuan se regjimi i Ramës noton në drogë e krim. Nëse anëtarët e këtyre organizatave, janë dhjetëra e dhjetëra, deri sot në Shqipëri ata që janë arrestuar, janë më pak se gishtat e njërës dorë. Siç ka theksuar Nikolla me atë shtet nuk mund të punohet sepse japin direkt informacioneve, bandave dhe kriminelëve. Kuptohet se çfarë rreziku madhor përfaqëson regjimi i Ramës, jo vetëm për shqiptarët, por për Europën dhe botën. Në Ekuador shqiptarët vranë kandidatin rival, në Kolumbi gjithashtu, të gjithë këta e kanë të hapur zyrën e Ramës, me në krye koordinator Ergys Agasin. Këta me 50 tonelata drogë, çfarë janë?”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje