TAGS-AT E JAVËS

Politike17 Qershor 2026, 12:59

Sot dita e 18-të e protestës, Rama reagon i axhituar: Britma zë vendin e argumentit 

Shkruar nga Pamfleti
Sot dita e 18-të e protestës, Rama reagon i axhituar: Britma zë
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me protestat që po zhvillohen prej 17 ditësh radhazi në Tiranë, ku mijëra qytetarë janë mbledhur në sheshin “Skënderbej” dhe rrugët e kryeqytetit duke kërkuar dorëheqjen e tij.

Në prag të protestës së 18-të, kreu i qeverisë ka ndarë në rrjetet sociale një video nga tubimet, duke e shoqëruar me një mesazh kritik ndaj protestuesve.

Në postimin e publikuar në Facebook, Rama e cilëson protestën si një shfaqje të ekstremizmit, ku sipas tij, presioni dhe intimidimi po zëvendësojnë debatin demokratik. Ai shprehet se fenomene të tilla kanë karakterizuar lëvizjet ekstremiste në periudha të ndryshme historike dhe se sot ato përforcohen edhe nga rrjetet sociale.

Kryeministri argumenton se qëllimi i kësaj qasjeje nuk është ballafaqimi i ideve, por krijimi i një klime frike dhe heshtjeje për këdo që mendon ndryshe nga turma. Sipas tij, fyerjet, kërcënimet dhe linçimi publik po përdoren si mjete presioni ndaj individëve.

Postimi i plotë i Ramës:

Një grup vendos se ka të drejtë të frikësojë të tjerët për hir të atdheut. Britma zë vendin e argumentit. Lukunizmi zë vendin e dialogut. Intimidimi paraqitet si aktivizëm dhe linçimi publik i tradhëtarëve si drejtësi e Zotit në emër të popullit.

Kështu vepruan lëvizjet ekstremiste në Europën e paraluftës dhe kështu bëjnë edhe sot kur e ku munden, duke e rritur eksponencialisht presionin mbi hapësirën demokratike falë rrugëve pa kontroll të internetit.

Kush nuk mendon si turma bëhet objekt i bullizmit masiv online, i fyerjeve, kërcënimeve, linçimit publik dhe fushatave të organizuara të damkosjes. Qëllimi nuk është debati. Qëllimi është heshtja. Të krijohet një klimë ku njerëzit zgjedhin të heshtin, jo sepse nuk kanë ç’të thonë, por sepse kostoja e të folurit bëhet shumë e lartë.

Historianët bien dakord se terrori i rrugës fillon me akte që duken “të vogla”, me sharje, intimidim, poshtërim publik, marshime e bllokime rrugësh automobilistike dhe sulme të përzgjedhura ndaj individëve, ndërkohë që turma digjitale shumëfishon frikën dhe presionin.

Videoja më poshtë nga qendra e Tiranës mbrëmë flet vetë dhe është një tjetër pasqyrë ku mund të shihet çdokush që sheh qytetari demokratike në fjalorin e kësaj proteste, që nga tribuna e sharjeve, tek koret e linçimeve dhe ulërimat e marshuesve.

 

protestat kunder edi rames

Lini një Përgjigje