TAGS-AT E JAVËS

Politike17 Qershor 2026, 14:46

Megaoperacioni i SPAK, Berisha: Grupi i Salvadore Aliut dispononte 50 ton drogë, regjimi i Ramës noton në krim

Shkruar nga Pamfleti
Megaoperacioni i SPAK, Berisha: Grupi i Salvadore Aliut dispononte 50 ton
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar megaoperacionin e fundit të SPAK kundër një grupi të strukturuar kriminal të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash, duke vlerësuar punën e Prokurorisë së Posaçme, por duke hedhur akuza të forta ndaj qeverisë.

Gjatë një deklarate për mediat, Berisha tha se grupi i drejtuar nga Salvadore Aliu kishte në dispozicion sasi të mëdha droge dhe sipas tij kjo tregon fuqinë që organizatat kriminale kanë pasur në Shqipëri.

“Salvator Alia ka disponuar 50 tonelata drogë. Imagjinoni çfarë fuqie ka pasur kundër opozitës. Të frymëzuar dhe të mbështetur nga Ergys Agasi dhe nga Edi Rama. Shqiptarët e kuptuan se regjimi i Ramës noton në drogë e krim”, deklaroi Berisha.

Kreu i opozitës u shpreh se, megjithëse sipas hetimeve bëhet fjalë për një organizatë me shumë anëtarë, numri i personave të arrestuar në Shqipëri mbetet shumë i ulët.

Berisha iu referua gjithashtu deklaratave të autoriteteve të huaja, duke pretenduar se strukturat shtetërore shqiptare kanë nxjerrë informacione që kanë favorizuar grupet kriminale.

Më tej, lideri demokrat akuzoi qeverinë se përbën një rrezik jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për partnerët ndërkombëtarë.

"Nëse anëtarët e këtyre organizatave, janë dhjetëra e dhjetëra, deri sot në Shqipëri ata që janë arrestuar, janë më pak se gishtat e njërës dorë. Siç ka theksuar Nikolla me atë shtet nuk mund të punohet sepse japin direkt informacioneve, bandave dhe kriminelëve. Kuptohet se çfarë rreziku madhor përfaqëson regjimi i Ramës, jo vetëm për shqiptarët, por për Europën dhe botën.", tha ai.

Ai përmendi gjithashtu ngjarje kriminale të ndodhura në Amerikën Latine, duke pretenduar se persona të lidhur me grupet shqiptare kanë qenë të përfshirë në to.

“Në Ekuador shqiptarët vranë kandidatin rival, në Kolumbi gjithashtu, të gjithë këta e kanë të hapur zyrën e Ramës, me në krye koordinator Ergys Agasin. Këta me 50 tonelata drogë, çfarë janë?”, tha Berisha.

Deklaratat e kreut të Partisë Demokratike vijnë pas operacionit të SPAK, ku sipas hetimeve grupi kriminal dyshohet se ka trafikuar të paktën 50 ton kokainë gjatë viteve 2019-2021, ndërsa janë sekuestruar qindra pasuri me vlerë rreth 150 milionë euro.

Lini një Përgjigje