Pas më shumë se tre orë e gjysmë para Kryeministrisë, protestuesit mbyllën tubimin e pestë kundër projektit në Zvërnec dhe qeverisë Rama. Gjatë protestës u prezantuan për herë të parë pesë kërkesa konkrete, me në krye dorëheqjen e qeverisë, ndërsa tubimi mori një karakter më të gjerë politik me thirrje kundër gjithë klasës politike.
Pas më shumë se tre orë e gjysmë tubim para godinës së Kryeministrisë, protestuesit kanë mbyllur pjesën kryesore të protestës së pestë kundër projektit në Zvërnec dhe qeverisë Rama, ndërsa janë nisur sërish drejt Sheshit Skënderbej.
Organizatorët kanë paralajmëruar se protesta nuk përfundon me tubimin e sotëm, pasi pjesëmarrësit pritet të vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës, duke e kthyer qendrën e kryeqytetit në skenën kryesore të mobilizimit qytetar.
Protesta e sotme u dallua nga tubimet e mëparshme për shkak të karakterit më të gjerë politik që mori. Nëse ditët e para fokusi ishte kryesisht te kundërshtimi i projektit turistik në Zvërnec, gjatë tubimit të sotëm dominuan thirrjet kundër qeverisë dhe klasës politike në tërësi.
Për herë të parë, organizatorët prezantuan edhe një platformë me kërkesa konkrete, ku në krye të tyre ishte dorëheqja e qeverisë. Po ashtu u kërkua shfuqizimi i statusit të investitorëve strategjikë, anulimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, Paketës së Maleve dhe ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore.
Gjatë protestës nuk munguan thirrjet “Rama ik”, “Rama në burg” dhe “Berisha në burg”, ndërsa shumë pjesëmarrës e paraqitën tubimin si një reagim jo vetëm ndaj projektit në Zvërnec, por ndaj mënyrës së qeverisjes dhe klasës politike të tre dekadave të fundit.
Në podium u mbajtën fjalime nga aktivistë dhe qytetarë, ndërsa një nga momentet që tërhoqi më shumë vëmendjen ishte mesazhi i një nxënësi të klasës së tretë, i cili kërkoi mbrojtjen e natyrës dhe hapësirave publike.
Tubimi i sotëm konfirmoi se lëvizja e nisur pas ngjarjeve në Zvërnec po merr përmasa më të gjera se një protestë lokale mjedisore. Organizatorët kanë bërë të qartë se aksioni do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa paralajmërojnë mobilizime të tjera deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Lini një Përgjigje