TAGS-AT E JAVËS

Politike14 Qershor 2026, 13:29

Tabaku shpërthen ndaj Anuela Ristanit: Tirana nuk është pronë e PS-së, drejtuesja e komanduar shmang raportimin

Shkruar nga Pamfleti
Tabaku shpërthen ndaj Anuela Ristanit: Tirana nuk është
Jorida Tabaku

Deputetja e Partisë Demokratike dhe anëtare e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, Jorida Tabaku, ka denoncuar mungesën e përfaqësueses së Bashkisë së Tiranës në dëgjesën e komisionit, duke e cilësuar atë si shenjë të qartë të papërgjegjshmërisë së qeverisë dhe pushtetit vendor ndaj llogaridhënies publike.

Gjatë mbledhjes së komisionit, Tabaku u shpreh se është e papranueshme që drejtuesja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani të refuzojë të raportojë përpara deputetëve mbi funksionimin e bashkisë që administron rreth një të tretën e popullsisë së Shqipërisë.

Sipas saj, mungesa nuk është thjesht mungesë respekti ndaj komisionit, por simptomë e një sistemi të tërë që shmang përgjegjësinë dhe llogaridhënien.

“Kur një bashki që përfaqëson një të tretën e popullsisë së vendit nuk paraqitet për të raportuar, problemi nuk është vetëm institucional. Është tregues i një sistemi që është mësuar të mos japë llogari për vendimet që merr, për mënyrën si menaxhon fondet publike dhe për mënyrën si qeveris qytetarët”, u shpreh Tabaku.

Deputetja ngriti një sërë shqetësimesh për zhvillimin e Tiranës, duke argumentuar se kryeqyteti është kthyer në një qytet të përqendruar pothuajse ekskluzivisht tek ndërtimi, ndërsa periferitë dhe ish-komunat vazhdojnë të vuajnë mungesën e investimeve dhe të shërbimeve bazë.

Ajo theksoi se reforma territoriale e vitit 2015 duhet t’i nënshtrohet një vlerësimi serioz, veçanërisht në Tiranë, ku sipas saj janë thelluar pabarazitë mes qendrës dhe periferisë, ndërsa rreth 70% e investimeve publike janë përqendruar në zonat urbane qendrore.

Tabaku kujtoi se në vitin 2015, Bashkia e Tiranës kishte rreth 5 mijë punonjës, ndërsa sot administrata ka arritur në rreth 9 mijë punonjës, pa sjellë përmirësim proporcional në cilësinë e shërbimeve për qytetarët.

Ajo kritikoi gjithashtu faktin që Bashkia e Tiranës vazhdon të drejtohet me komandim, ndërsa qyteti përballet me probleme të shumta që lidhen me planifikimin urban, shërbimet publike, administrimin financiar dhe aferën e inceneratorit.

“Nëse Partia Socialiste nuk është në gjendje të qeverisë Bashkinë e Tiranës, le t’ua lërë qytetarëve të vendosin. Nuk mund të mbahet peng qyteti më i madh i vendit nga një administrim i përkohshëm që nuk jep llogari askund”, deklaroi Tabaku.

Në përfundim, ajo kërkoi organizimin e një dëgjese të posaçme me drejtuesit e Bashkisë së Tiranës dhe me përfaqësuesit e ish-komunave, për të analizuar pasojat e reformës territoriale, gjendjen e shërbimeve publike dhe sfidat e zhvillimit të kryeqytetit.

tabaku shpërthen ndaj anuela ristanit

Lini një Përgjigje