
Brenda dhjetë ditësh është përmbyllur procesi i numërimit të të gjitha votave të zgjedhjeve të 7 qershorit, duke konfirmuar Lëvizjen Vetëvendosje si forcën e parë politike në vend me 382 mijë e 865 vota ose 47.13 për qind të totalit.
Sipas rezultateve të përpunuara, Vetëvendosje ka siguruar 53 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 157 mijë e 893 vota, ose 19.44 për qind, duke fituar 22 mandate.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 135 mijë e 559 vota, që përbëjnë 16.69 për qind të votave të përgjithshme dhe përkthehen në 18 ulëse parlamentare. Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 54 mijë e 731 vota ose 6.74 për qind, duke siguruar shtatë mandate.
Të mërkurën përfundoi edhe numërimi i votave me postë, votave me kusht dhe atyre nga Programi i Votuesve me Nevoja të Veçanta, duke mbyllur kështu fazën e numërimit të votave.
Hapi i radhës në procesin zgjedhor është rinumërimi. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka planifikuar që në këtë proces të përfshihen rreth 8 për qind e kutive të votimit.
Me këtë shpërndarje mandatesh, Lëvizja Vetëvendosje ka mundësinë të formojë qeverinë pa pasur nevojë për koalicion me partitë e tjera shqiptare. Megjithatë, për zgjedhjen e presidentit, çështje që çoi vendin në zgjedhje të parakohshme, nevojitet një marrëveshje më e gjerë politike.
Nëse 53 deputetëve të Vetëvendosjes u shtohen edhe 10 deputetët e komuniteteve joserbe, një marrëveshje me Partinë Demokratike të Kosovës do të siguronte 85 vota në Kuvend. Ky numër përputhet me qëndrimin e kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, i cili kishte deklaruar më herët se një kuorum prej 85 ose 86 deputetësh do të garantonte një proces të suksesshëm për zgjedhjen e presidentit.
Një bashkëpunim mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës do të siguronte 81 vota, vetëm një më shumë se minimumi kushtetues prej 80 deputetësh që kërkohet për zhvillimin e raundit të parë dhe të dytë të votimit për president.
Nga ana tjetër, mundësia e formimit të qeverisë pa Vetëvendosjen paraqitet më e vështirë. PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja së bashku kanë 47 deputetë dhe për të arritur shumicën prej 61 votash do t’u nevojiteshin edhe 14 deputetë të tjerë.
Një skenar i tillë do të kërkonte, përveç mbështetjes së komuniteteve joserbe, edhe votat e Listës Serbe. Megjithatë, pas sulmit terrorist në Banjskë në vitin 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, partitë shqiptare kanë shmangur bashkëpunimin politik me këtë subjekt. Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç, kishte marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit.
Gjithashtu, kandidatja e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani, ka deklaruar para zgjedhjeve se Lista Serbe mbetet vijë e kuqe për bashkëpunim politik.
Përpara formimit të institucioneve të reja, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të shpallë rezultatet përfundimtare dhe t’i certifikojë ato. KQZ-ja kishte planifikuar përfundimin e numërimit më 21 qershor, por procesi është mbyllur katër ditë më herët.
Nëse nuk paraqiten ankesa, rezultatet përfundimtare mund të shpallen më 22 qershor, ndërsa certifikimi i tyre pritet të bëhet më 2 korrik.
Lini një Përgjigje