TAGS-AT E JAVËS

Kosova 3 Qershor 2026, 21:06

Zgjedhjet në Kosovë, Ilir Kulla: Fiton sërish Kurti, opozita duhet të ishte bashkuar që të kishte një shans

Shkruar nga Pamfleti

Zgjedhjet në Kosovë, Ilir Kulla: Fiton sërish Kurti, opozita

Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla, duke komentuar në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, parashikoi një fitore të re të Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas Kullës, zhvillimet gjatë fushatës zgjedhore kanë konfirmuar bindjen e tij se Kurti jo vetëm do të fitojë, por mund të marrë një rezultat edhe më të mirë se në zgjedhjet e kaluara.

Ai argumentoi se partitë opozitare humbën mundësinë për të krijuar një alternativë konkurruese, pasi nuk arritën të bashkoheshin në një listë të përbashkët. Sipas tij, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma duhej të kishin krijuar një koalicion të vetëm për të sfiduar Vetëvendosjen.

Kulla theksoi se sistemi zgjedhor në Kosovë favorizon partinë që del e para, pasi asaj i takon e drejta për të propozuar kryetarin e Kuvendit dhe për të marrë mandatin për formimin e qeverisë. Sipas ekspertit të sigurisë, mungesa e bashkëpunimit mes forcave opozitare mund të çojë në forcimin e mëtejshëm të pozitave të Albin Kurtit në politikën kosovare.

Ai paralajmëroi gjithashtu se Kosova mund të përballet sërish me bllokime institucionale pas zgjedhjeve, veçanërisht në procesin e zgjedhjes së presidentit, çka sipas tij mund ta çojë vendin drejt një cikli të ri zgjedhjesh të parakohshme.

Pjesë nga intervista:

-Mirë, e zhvendosim bisedën edhe më gjerë. Duke qenë se Kosova voton në zgjedhjet e parakohshme parlamentare këtë të diel, dua të di a ke ndryshuar ndonjë qasje, ndonjë pritshmëri, ndonjë parashikim, krahasimisht me ç'ke deklaruar më herët në këtë studio? Se tani është zhvilluar dhe fushata atje. Si të është dukur?

Ilir Kulla: Jo. Shiko, unë e kam ndjekur fushatën edhe për shkak se unë shkoj të paktën një herë në javë në Kosovë. Po them që do fitojë Albin Kurti dhe do fitojë më shumë se herët e tjera.

-Pse e thua këtë?

Ilir Kulla: Për shkak edhe të fushatës. Domethënë, opozita bëri gjithçka të mundshme që të mos bashkohej. Se unë të pata thënë që në qoftë se opozita bashkohet në një listë, ndryshon gjëja. Aty po përsëritet e njëjta pamje e mëparshme. Kështu që, siç thoshte i ndjeri Fatos Nano, dy njerëz me një ngjyrë që herën e parë kanë bërë një njeri me ngjyrë, edhe herën e dytë njeri me ngjyrë do bëjnë domethënë. Kështu që e vetmja gjë që unë shoh është që, nëse do të kalojmë prapë në një situatë të ngjashme, ku prapë partitë opozitare do bllokojnë zgjedhjen e presidentit, prapë në vjeshtë do kemi zgjedhje. Sepse ky është sistemi.

Pra duhet që ata të mos sillen si adoleshentë, pavarësisht se Kosova ka moshën e një adoleshenti, pra është 18 vjeç, por të marrin përsipër procesin e transformimit të shtetit nëpërmjet mekanizmave politikë që të japin edhe zgjedhjet. Edhe se, ki parasysh që bota ka ndryshime shumë të shpejta dhe duhet me s'bën të përshtaten dhe të ruajnë këtë, pra le të themi këtë garanci të brendshme të ekuilibrave të brendshëm të një shteti i cili nuk ka shumë që ka lindur. Po sigurisht që unë shoh që ato parti kishin detyrë historike të bashkoheshin në një listë të vetme, si pasojë e përqindjeve në zgjedhjet e fundit, PDK, LDK, AAK, edhe Nisma po të doni, dhe besoj që do ishte një situatë politike ndryshe. Mund të kishim rrotacionin.

Por me sistemin zgjedhor që kanë ata, partia e parë është ajo që ngarkohet me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, partia e parë merr mandatin për kryeministër. Ai zotëria është në zyrën e kryeministrit sepse e mori atë të drejtë, dhe këta të tjerët nuk dalin dot partia e parë. Përkundrazi, në qoftë se i rrëshqet këmba ndonjërit dhe nuk hyn në parlament, ato mandate i kalojnë partisë së parë. Dhe unë mendoj që kanë hyrë në një kurs perfekt për të kthyer Albin Kurtin në një lider më shumë autoritar në rajonin tonë. Pasi nevoja dhe domosdoshmëria që ka çdo vend, përfshi këtu dhe Kosovën, për transformim politik, duhet të fillojë në radhë të parë njëherë nga transformimi i brendshëm politik i forcave politike

kulla

Lini një Përgjigje