Gjermania ishte shumë pranë sigurimit të fitores në ndeshjen e raundit të 1/32-ave ndaj Paraguait, por gjithçka ndryshoi pas një vendimi arbitrar që po konsiderohet si një nga më të diskutueshmit e Kupës së Botës 2026.
Ish-trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, reagoi ashpër ndaj anulimit të golit të Gjermanisë, duke e cilësuar vendimin të pajustifikueshëm.
“Nëse ai gol quhet i parregullt, atëherë Arsenali nuk do të shpallej kurrë kampion në Angli,” deklaroi Klopp për MagentaTV. “Ata kanë shënuar 60 për qind të golave të tyre pikërisht në atë mënyrë.”
Sipas kritikëve, goli i anuluar do t’i kishte dhënë Gjermanisë fitoren 2-1 në kohën e rregullt, përpara 63,945 spektatorëve të pranishëm në stadiumin e Bostonit.
Në vend të kësaj, vendimi i arbitrit e çoi sfidën drejt goditjeve të penalltive, ku Paraguai triumfoi, duke i shkaktuar Gjermanisë humbjen e parë me penallti në historinë e saj në Kampionatet Botërore.
Edhe legjenda e futbollit anglez, Alan Shearer, ndau të njëjtin qëndrim me Klopp, duke kritikuar ashpër vendimin e arbitrave dhe rolin e sistemit VAR.
“Portieri rrëzohet në tokë pas një kontakti minimal, ishte një ndërhyrje tejet e lehtë. Mendoj se ishte një vendim i tmerrshëm. Duhet ta kuptoni se ky është një sport kontakti. Portieri ka mashtruar arbitrin dhe sistemin VAR. Mënyra se si u rrëzua ishte thjesht patetike.”, tha Shearer për BBC.
Sipas analizave, veprimi i portierit të Paraguait, Orlando Gill, pranë portës do të konsiderohej në NBA si një "flop", ndërsa në Premier League kontakti i lehtë i mbrojtësit gjerman Waldemar Anton me portierin nuk do të konsiderohej i mjaftueshëm për të ndaluar një gol nga një goditje standarde.
Vendimi ka shkaktuar reagime të shumta edhe në rrjetet sociale, ku tifozët kanë krahasuar situatën me golat e Arsenalit nga goditjet standarde gjatë sezonit të kaluar.
“Kujtoni që Arsenali e bëri këtë gjë përgjatë gjithë sezonit të kaluar dhe asnjë nga analistët nuk tha asnjë fjalë,” shkroi një përdorues në platformën X.
Lini një Përgjigje