
Magjia e Kupës së Botës rikthehet sot me ndeshjen mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut, e cila do të luhet në “Estadio Banorte” duke nisur nga ora 21:00. Në Meksikë, për shkak të diferencës kohore, sfida do të startojë në orën 13:00 sipas kohës lokale.
Entuziazmi i tifozëve është ndier që në orët e para të mëngjesit. Qindra mbështetës janë parë pranë stadiumit që nga ora 07:30, rreth pesë orë e gjysmë përpara nisjes së takimit. Fluksi i madh i tifozëve ka bërë që organizatorët të hapin portat herët për të lehtësuar hyrjen e tyre në impiant.
Vëmendja e botës së futbollit është përqendruar te Meksika, aty ku nis zyrtarisht spektakli i shumëpritur. Kombëtarja vendase konsiderohet favorite për të marrë fitoren në përballjen e parë të turneut.
Ky edicion i Kupës së Botës shënon një moment historik, pasi për herë të parë zhvillohet me pjesëmarrjen e 48 skuadrave kombëtare. Formati i ri pritet të sjellë më shumë ndeshje, rivalitet më të madh dhe emocione të shtuara për tifozët në mbarë botën.
Lini një Përgjigje