Ylber Ramadani i ka dhënë fund aventurës së tij me Leçen në Serinë A, duke u transferuar te Çorum FK, skuadër e sapongjitur në Superligën e Turqisë.
Kalimi i mesfushorit shqiptar ka ngjallur diskutime, pasi ai largohet nga një prej kampionateve më të forta në Evropë, ku ishte një nga lojtarët kyç të Leçes, për t'iu bashkuar një klubi që nuk konsiderohet ndër më të mëdhenjtë e futbollit turk. Megjithatë, prapa këtij vendimi duket se qëndrojnë kryesisht arsyet financiare.
Sipas mediave italiane, Ramadani do të përfitojë një pagë neto prej 1.5 milionë eurosh në sezon te Çorum FK. Mesfushori ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare, me mundësi zgjatjeje edhe për një sezon tjetër.
Raportimet bëjnë të ditur se paga e re është pothuajse dyfish më e lartë se ajo që përfitonte te Leçe. Kjo ofertë financiare konsiderohet arsyeja kryesore që lojtari këmbënguli për t'u larguar nga klubi italian, pavarësisht se kishte ende një vit të mbetur në kontratën e tij.
Me këtë transferim, Ramadani nis një kapitull të ri në karrierë, duke synuar të jetë një nga protagonistët e Çorum FK në sezonin e parë të klubit në elitën e futbollit turk.
Lini një Përgjigje